RTSH Sport Live

Strakosha “dënon” Lacion, fiton Leverkusen, barazon Marseja

  • 16/09/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Strakosha “dënon” Lacion, fiton Leverkusen, barazon Marseja
Një paraqitje jo e mirë e bardhekaltërve, shoqëruar dhe nga gabimi trashanik i portierit. Gjermanët kanë triumfuar 2-1 përballë Ferencvaros, ndërsa francezët janë ndalur në barazim 1-1 përballë Lokomotivës së Moskës

Janë luajtur ndeshjet e para në fazën e grupeve të Europa League ku surprizat dhe emocionet nuk kanë munguar. Në Grupin E, Lazio është dorëzuar në Stamboll përballë Galatasaray, 1-0. Në fakt, ka qënë një autogol i portierit kuqezi, Strakosha që ka vendosur fatin e sfidës, duke u dhënë tri pikë turqve.

Pjesë e Grupit E janë edhe Lokomotiva e Moskës dhe Marseja, të cilat në përballjen mes tyre nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1. Pas një pjesë të parë pa gola, francezët kaluan të parët në avantazh me anë të Under 59’ nga pika e 11-metërshit. Por kur kishte mbetur një minutë nga koha e rregullt, moskovitët arritën të barazojnë me anë të Anjorin.

Në Grupin G, Leverkusen ka përmbysr Ferencvaros duke marrë një fitore 2-1. Hungarezët kaluan të parët në avantazh me anë të Mmaee 8’, por Palacios në minutën e 37-të vendosi barazpeshën, 1-1, që është dhe rezultati i pjesës së parë. Në pjesën e dytë vendasit gjejnë golin e avantazhit me anë të Wirtz 69’. Sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni u aktivizua në minutën e 66-të, por pa arritur të shpëtojë hungarezët nga humbja. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Real Betis dhe Celtic kanë dhuruar spektakël, me spanjollët që kanë arritur një fitore 4-3.

Midtjylland dhe Ludogorets në Grupin F nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1, ndërsa në sfidën tjetër të këtij grupi, Zvezda ka mundur Bragën me rezultatin 2-1.

Dinamo Zagreb në Grupin H është mundur në shtëpi nga West Ham me rezultatin 2-0, ndërsa në sfidën tjetër Rapid ka kapitulluar përballë Genk, 0-1.