Struga e trajnerit Shpërim Duro ka arritur të sigurojë një biletë për në finale e Kupës së Maqedonisë së Veriut duke mundur 1-0 në gjysmëfinale skuadrën e Sileks. Goli i vetëm i kësaj sfide u shënua në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 65-të.
Autori i golit, Mexhit Neziri është shprehur pas ndeshjes: “Jam i lumtur për golin, por më e rëndësishme është që skuadra u kualifikua në finale e Kupës për herë të parë. Padyshim është më i rëndësishmi në karrierën time, edhe pse dihet që ne mbrojtësit nuk shënojmë dhe aq shpesh. Shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund, të luftojmë në të dy frontet”.
Një arritje historike për skuadrën e Strugës, e cila për herë të parë arrin në finale të Kupës, pa harruar që është një pretendente potenciale për fitimin e titullit. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër gjysmëfinale Shkëndija e Tetovës është eliminuar nga Makedonija Gjorce Petrov pas gjuajtjeve të penalltive.