Studio GOL vjen sërish si çdo të martë në orën 18.00 në RTSH 1 HD. Emisioni që analizon kampionatet elitare evropiane do të sjellë këtë radhë tema dhe diskutime të reja. Kampionati Italian kaloi një javë që foli në favor të Interit të Milanos. Gabimet e Juventusit dhe sidomos Milanit i shkuan për shtat ekipit zikaltër që tashmë ka kapur kreun. Me Arbër Abilaliaj, një prej menaxherëve të Amir Rrahmanit do diskutohet gjatë edhe për prezantimin dhe notat e larta të qëndërmbrojtësit të Napolit që ishte vendimtar këtë radhë në fitoren e ekipit të tij, duke fituar 11-metërshin që vendosi fatin e ndeshjes. Në studio do jetë edhe Elton Marini për të diskutuar ecurinë e jashtëzakonshme të Interit dhe hapin e gabuar të Milanit.
Patjetër që pjesë e rëndësishme e emisionit do jetë edhe Kampionati Spanjoll që luajti javën e 23-të. Këtë radhë gjithë pretendentët fituan, por Barcelona me golat e Mesit duket sikur ka gjetur “buzëqeshjen”. Në studio i ftuar edhe Arnold Kovaçi që do të sjell statistikat dhe zhvillimet mediatike në kampionatet elitare. Në drejtimin e gazetarit Kristo Thoma, sot në orën 18.00 në RTSH 1 HD dhe në 21.30 në RTSH Sport HD të apasionuarit e futbollit mund të ndjekin golat, rastet e diskutueshme dhe gjithçka që ka ndodhur në fundjavë.