RTSH Sport Live

Studio GOL. Sot emisioni më i ri në RTSH HD

  • 08/12/2020
  • |
  • Emisione
Studio GOL. Sot emisioni më i ri në RTSH HD
Duke filluar nga ora 18.20 nis sot emisioni i gazetarit Kristo Thoma që përmbledh kampionatet më të rëndësishme evropiane

Studio Gol do jetë emisioni më i ri që starton sot në RTSH. Një prodhim i RTSH Sport, emisioni që drejtohet nga gazetari dhe komentatori Kristo Thoma do të ketë një thellim të detajuar me atë që ndodh në Kampionatin Italian, atë spanjoll, por edhe në Holandë e në Francë. Duke qënë se shqiptarët janë tifozë me skuadrat më të rëndësishme në Evropë, RTSH Sport ka menduar organizimin e një transmetimi të veçantë, i cili nuk do të përmbajë vetëm golat e shënuar, por edhe analizën për skuadrat e ndryshme evropiane, gjendjen e tyre, të rejat që vijnë nga kampet e Juventusit, Interit e Milanit në Itali, apo edhe Barcelonës e Real Madridit në Spanjë.

Ky do të jetë emisioni i vetëm që ka një analizë të detajuar për kampionatet më të rëndësishme në Evropë. Nuk do të mungojnë çdo javë edhe çështjet më të debatuara të mediave sportive në Itali e Spanjë, por do të ketë rubrika të veçanta për statistikat, golat më të bukur, etj. Publiku ka tashmë edhe një dritare të rëndësishme për të parë gjithçka që ka ndodhur në fundjavë edhe nëse ka humbur ndeshjet, sepse në Studio Gol do të trajtohet gjithçka me profesionalizëm. Natyrisht nuk do të mungojnë notat dhe paraqitjet e gjithë shqiptarëve që luajnë në këto kampionate të rëndësishme, arsyen përse nuk po aktivizohen dhe herë pas here dhe lidhje direkte me protagonistë të rëndësishëm.

Sot, duke filluar nga ora 18.20 në RTSH 1 HD, diskutohet për momentin e Juventusit, fitoren e vështirë në derbi dhe prag-ndeshjen me Barcelonën. Nuk do të mungojë edhe momenti i mirë i Interit dhe marshimi i Milanit si kryesues në Itali. Do të ketë edhe një kronikë me rastet më të diskutueshme të javës, sidomos për ndeshjen e Romës. Në Spanjë është momenti i Atletikos së Madridit, por do të flitet edhe për krizën e Barcelonës. Në drejtimin e gazetarit Kristo Thoma dhe me prezencën e Arbër Ablilaliaj dhe komentatorit Arnold Kovaçi, sot “Studio Gol” në RTSH 1 HD.