RTSH Sport Live

Suedia, trajneri është gati të rikthejë Ibrën, por…

  • 24/11/2020
  • |
  • Euro 2020
Suedia, trajneri është gati të rikthejë Ibrën, por…

Paraqitjet e shkëlqyer me fanellën e Milanit, nuk kaluan pa u vënë re as në Suedi dhe tani trajneri Janne Andersson hap një dritare të vogël për rikthimin e Zlatan Ibrahimovic: “Është e nevojshme që ai vetë të dëshirojë të përfshihet në projektin e ekipit përfaqësues. Në 2016 Ibra më tha qartë se nuk dëshironte më të bëhej pjesë e përfaqësueses së Suedisë dhe unë respektova zgjedhjen e tij. Duhet të jetë ai që të thotë se dëshiron të kthehet: në këtë rast, do të më takojë mua të menaxhoj situatën”.

Në një intervistë të dhënë për “Aftonbladet”, trajneri suedez pret pa shumë fjalë një hap të parë nga kampioni i Milanit. “Unë nuk ndjek rrjetet sociale, por në çdo rast nuk më intereson se çfarë thotë ose si i thotë, ai duhet të jetojë jetën e tij. Unë e di se çfarë më tha dhe çfarë ramë dakord kur u largua nga ekipi kombëtar. Që nga ai moment, nuk ka ndryshuar asgjë në mënyrën time se si i shikoj gjërat”.

Andersson nuk është i befasuar me rendimentin dhe paraqitjen e Ibras. “Nuk mund të them se jam kaq i befasuar. Po të isha, do të thoshte të mos besoja në potencialin e tij. Më ka impresionuar, më bën shumë përshtypje fakti që Zlatan mund të vazhdojë të ketë këtë uri, këtë vrull dhe këtë cilësi në atë që bën. Është me të vërtetë mbresëlënës, është një atlet i shkëlqyer. Është e pabesueshme ajo që po bën”.