RTSH Sport Live

Suedia, tre gola e tri pikë ndaj Kosovës

  • 09/10/2021
  • |
  • Kosova
Suedia, tre gola e tri pikë ndaj Kosovës
Muriç ishte fare pak përballë nordikëve, që forcojnë vendin e dytë në grupin B

Suedia forcon pozicionin e saj në vendin e dytë në grupin B të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ndërsa pasditen e së shtunës, në Solna, ka mundur 3-0 Kosovën. I njëjti rezultat si në ndeshjen e parë, ndërsa nordikët thuajse e kanë kontrolluar ndeshjen nga fillimi deri në fund. Muriç ka qenë barrikadë për nordikët, por deri në një farë mënyre, sepse i vetëm nuk mund të ndalte furinë e Suedisë. Që në 12 minutat e para, Suedia është dy herë pranë me Forsberg e Isak, por Hadërgjonaj e Muriç arrijnë të shmangin rrezikun.

Në të 18’, Kosova i ka patur të gjitha mundësitë për të kaluar në avantazh, ndërsa Rashani në kundërsulm godet jashtë. Dhe vjen momenti i penalltisë, kjo pas prekjes me dorë të topit nga Hadërgjonaj në goditjen e Klaeson. Rreth shtatë minuta për t’u verifikuar nga sistemi VAR, ndërsa Di Belo është përpara ekranit, por pamjet i vijnë të qarta me vonesë. E në fund penallti, që Forsberg me shumë qetësi e ka kthyer në gol. Suedezët godasin shtyllën me Augustinson, kurse Bytyçi është frenuar nga Olsen. Pjesa e dytë ka nisur me goditjen e Rashanit, që pritet nga Olsen.

E më pas Muriç frenon Isak në të 49’, Kulusevksin në të 58’, Isak dhe Forsberg në të 61’. Por nuk mund të bëjë asgjë në të 62’, me atë goditje fantastike të Isak, që ka përfunduar në krahun e majtë të portës kosovare. 2-0 dhe Suedia gjen qetësinë, ndërsa mbyll gjithçka me Kuaison në të 78’. Përfundimisht 3-0, 12 pikë për Suedinë dhe 4 pikë për Kosovën, e cila të mërkurën në ora 20:45 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës pres Gjeorgjinë me shpresën për të gjetur fitoren e dytë në këto kualifikuese.