RTSH Sport Live

Superiore, merkato e klubeve shqiptare

  • 09/06/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Superiore, merkato e klubeve shqiptare
Tirana më aktive, Partizani po pret trajnerin e ri, te Laçi janë katër lojtarë të larguar

Jemi në periudhë pushimi, por merkato është nxehur në Kategorinë Superiore. Katër skuadrat që do të marrin pjesë në Kupat e Europës kërkojnë me patjetër të përforcohen për të bërë një prezantim sa më dinjitoz në Europë. Partizani duhet të zgjidhë cështjen e trajnerit të ri. Zoran Zekiç është emri më i përfolur për tu ulur në stol, por deri më tani nuk ka asnjë zyrtarizim. Në krahun tjetër Tirana duket shumë aktive me afrimet e Kaina Nunesh apo dhe të Gentian Selmanit. Megjithatë merkato nuk do të mbyllet me kaq, sepse Albi Doka është pranë firmës, gjithashtu bardheblutë mund të marrin në formën e huazimit Agan Mjakin, mbrojtësin e shpresave dhe që aktivizohet në Holandë me Groningenin e 21-vjecarëve.

Egnatia, skuadra surprizë e këtij edicioni do të marrë pjesë për herë të parë në një kompeticion europian. Nga grupi i futbollistëve që mbylli sezonin e fundit, momentalisht nuk ka asnjë largim. Ndërsa në hyrje është rikthyer Jurgen Goxha, futbollisti ishte huazuar në gjysmën e dytë të këtij sezoni që u mbyll te skuadra e Teutës. Stiven Janku është afrimi i parë, mbrojtësi mbylli aventurën e tij me Bylisin. Ardhja e Migen Memellit do të ndryshojë kursin e merkatos te Vllaznia. Shkodranët po punojnë për rinovimet e kontratave me Zogoviç, Jonuzin, Bulatoviç dhe Markun. Te Laci kanë filluar firot e para. Mazrekaj, Turkaj,Ruganovic dhe Selmani janë largimet e para, ndërsa sa i përket afrimeve skuadra ka njoftuar firmën me Ronaldo Sobovale-n ish-sulmuesi i Malishevës në Superligën e Kosovës. Teuta,Skënderbeu e Dinamo janë tri skuadrat që deri më tani nuk kanë kryer asnjë transferim.