RTSH Sport Live

Superiorja, dyndje skuadrash në “Elbasan Arena”

  • 14/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja, dyndje skuadrash në “Elbasan Arena”
Problemet nuk vonojnë të evidentohen, gjysma e skuadrave do ta përdorin si “shtëpinë” e tyre

Problemet e një kampionati nuk vonojnë të evidentohen, madje një pjesë e madhe e skuadrave të Kategorisë Superiore nuk kanë fusha ku të luajën. Dinamo, Partizani, Kukësi,Teuta, dhe së fundmi Laçi,  kanë prenotuar Elbasan Arenan për të zhvilluar ndeshjet e tyre. Një lëvizje e tillë detyron sektorin e garave në FSHF të ndryshojë ditët në bazë të kalendarit. Klubi kurbinas ka informuar publikun se do të nisë rikonstruktimin e fushës dhe në këto kushte ende nuk dihet data se kur pritet të përfundojnë punimet.

E njëjta situatë edhe me Teutën që po bën ndërrimin e tapetit dhe për më shumë se dy muaj do të spostohet në Elbasan, të paktën për momentin. Kukësi luftoi fort që ta kishte stadiumin gati, por deri tani stadiumit “Zeqir Ymeri” po i jepet dora e fundit dhe nga fundi i tetorit pritet të jetë gati. Problemet e Partizanit dihen prej kohësh dhe “Elbasan Arena”, që nga sezoni i kaluar është bërë shtëpia e të kuqve.

Ndryshe paraqitet situtata e Dinamos, këtë të premte blutë do të luajnë ndaj Laçit në Elbasan, por kjo do të jetë e para dhe e fundit për 18 herë kampionët e vendit, pasi nga informacionet e fundit, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë firmous një kontratë për të zhvilluar ndeshjet në stadiumin Kombëtar dhe inagurimi do të bëhet më datë 1 tetor në ndeshjen që Dinamo do të luajë ndaj Partizanit.