RTSH Sport Live

Superiorja zbret sot në fushë, Kastrioti-Partizani në RTSH

  • 25/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja zbret sot në fushë, Kastrioti-Partizani në RTSH
Të gjitha sfidat e javës së 35-të do të startojnë në orën 16:00

“Abissnet Superiore” do të zbresë sot në fushën e lojës me javën e 35-të, e parafundit, ndërkohë që të gjitha verdiktet janë në lojë, ende për tu zgjidhur. Të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 16:00.

Tirana kryesuese ka zgjedhur si shtëpinë e saj në këtë javë “Arena Egnatia” ku do të presë Bylisin. Dy skuadra me pretendime ekstreme, me bardheblutë që kërkojnë të ruajnë vendin e parë dhe ballshiotët që kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.

Në “Elbasan Arena”, Kastrioti do të presë Partizanin, një sfidë që do të vijë për shikuesit në ekranin e RTSH. Të kuqtë janë të dënuar për të fituar dhe në të njëjtën kohë të shpresojnë në një hap të gabuar të bardhebluve. Ndërkohë, në anën tjetër, një humbje e krutanëve do të ishte fatale për sezonin e tyre.

Në “Loro Boriçi”, sfida mes Vllaznisë dhe  Laçit është si një finale, të dyja skuadrat kanë pretendimet e tyre për një vend në Europë. Ndërkohë në “Kukës Arena” luhet një tjetër finale, ajo për mbijetesë, mes verilindorëve dhe Erzenit.

Vendi i tretë, Egnatia tashmë ka siguruar Europën dhe sfida në “Niko Dovana” me Teutën duket një “shëtitje”. Nga ana tjetër, durrsakët kërkojnë me çdo kusht fitoren për të pretenduar një vend në kupat e Europës.