RTSH Sport Live

Superkupa e Europës sonte në RTSH 1

  • 10/08/2022
  • |
  • Futboll Bota
Superkupa e Europës sonte në RTSH 1
Emision i posaçëm para dhe pas ndeshjes Real Madrid-Eintraht Frankfurt

Kampionia në fuqi e Spanjës dhe e Europës, Reali i Madridit, do të përballet sot në mbrëmje me fituesen e Ligës së Europës, Eintrahtin e Frankfurtit, në duelin e Superkupës së Europës, që do të luhet në Stadiumin Olimpik të Helsinkit. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe kjo ndeshje, e cil është përballja tradicionale që ngre siparin e futbollit europian të klubeve, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Gjithçka nis në ora 20:20 me një emision të posaçëm me të ftuar në studio për të vijuar më pas me transmetimin e përballjes që nis në ora 21:00 dhe pas saj e ceremonisë së fitueses sërish me bisedën në studio.

Natyrisht, gjigandja madrilene shkon si favorite në duelin e së mërkurës, që do të jetë përballja e parë pas 62 vitesh midis saj dhe skuadrës gjermane. Në atë finale të paharrueshme të 1960-ës në Kupën e Kampioneve, tashmë Ligën e Kampioneve, Reali i Madridit e fitoi për herë të 5-të kurorën kontinentale, duke mundur Eintrahtin e Frankfurtit 7-3 në finalen e zhvilluar në Stadiumin “Hampden Park” në Gllasgou, ku Alfredo Di Stéfano shënoi 3 dhe Ferenc Pushkásh 4 gola për Realin, ndonëse ishin gjermanët që patën kaluar të parët në epërsi. Fituese në fuqi e Superkupës së Evropës është Çelsi, por duhet theksuar se, në 46 edicionet e deritanishme, fitueset e Ligës së Kampioneve kanë triumfuar 26 herë e ato të Ligës së Evropës 20.

Përballja e sotme do të luhet në Stadiumin Olimpik të Helsinkit, që u ndërtua për të mirëpritur Lojërat Verore të 1952-shit dhe stadium iu nënshtrua rinovimit të plotë që nga 2016-ta deri në 2020-ën. Kulla e veçantë e stadiumit është e lartë 72 metra e 71 cm, aq sa ishte edhe distanca e hedhjes së shtizës nga kampioni olimpik finlandez, Mati Järvinen, në Lojërat e 1932-shit. Ky stadium është edhe shtëpia e përfaqësueses së futbollit të Finlandës.