RTSH Sport Live

Superkupa e Kosovës do të luhet në Turqi

  • 12/01/2021
  • |
  • Kosova
Superkupa e Kosovës do të luhet në Turqi
Drita, kampionia në fuqi dhe Prishtina, fituese e Kupë, do të diskutojnë mes tyre trofeun e Superkupës, më 23 janar në Antalia

Për herë të parë, Superkupa e Kosovës do të zhvillohet jashtë vendit. Në mbledhjen e ditës së sotme të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, u vendos që të dy klubet të diskutojnë trofeun në vendin ku po zhvillojnë fazën përgatitore. Në fakt, një trofe i tillë i paraprin fillimit të sezonit të ri, por për shkak të pandemisë ndodhi dhe shtyrja.

Me pëlqimin e të dy klubeve, Dritës, kampiones në fuqi dhe Prishtinës, fitueses së Kupës së Kosovës, trofeu i Superkupës  do të diskutohet në Antalia(Turqi) më 23 janar.

Njoftimi i FFK-së:

12 janar, 2021 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e parë për vitin 2021, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.

KE diskutoi rreth përgatitjeve për fillimin e stinorit pranveror të garave, me konstatimin se përgatitjet e të gjitha organeve të FFK-së po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Po ashtu, edhe klubet i kanë filluar përgatitjet e tyre në të gjitha segmentet, ku shihet një interesim i madh i tyre për prurjet e reja në skuadra.

KE edhe një herë diskutoi për sistemin e garave në Ligën e Dytë dhe Ligën e Tretë, me ç’rast vendosi që edhe në edicionin e ardhshëm Liga e Dytë të ketë 16 skuadra, e ku dy skuadra do të vijnë nga Liga e Tretë (me ç’rast kampionët e grupeve luajnë lojë barazhi, ku fituesit e tyre inkuadrohen në Ligën e Dytë), derisa nga liga largohen dy skuadrat e fundit në renditje.

KE diskutoi edhe rreth riformatimit të sektorëve në FFK me qëllim të ngritjes së profesionalizimit dhe efikasitet në punë në administratën e FFK-së.

Po ashtu, KE diskutoi edhe rreth zhvillimit të ndeshjes së Superkupës, ndërmjet kampiones në fuqi Dritës dhe fitueses së Kupës, Prishtinës, e cila ndeshje zakonisht i paraprinë fillimit të edicionit të ri, por për shkaqe të pandemisë COVID-19 dhe orarit të ngjeshur të garave nuk kishte arritur të zhvillohej, andaj me pëlqimin e të dyja klubeve u vendos që kjo ndeshje të zhvillohet në Antalia më 23 janar, duke pasur parasysh se në këtë periudhë kohore të dy klubet gjenden në përgatitje në Turqi.

KE shqyrtoi edhe mundësitë e përkrahjes financiare të klubeve para fillimit të stinorit pranveror, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të tyre për shkak të pandemisë dhe do të bëjë gjithçka që është në mundësitë e saj që sërish t’u del në krahë klubeve.

Në fund, KE shqyrtoi edhe Ankesat  dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.