RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës: Arbëria surprizon Ballkanin, shkarkohet trajneri Shkëmbi

  • 06/05/2021
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës: Arbëria surprizon Ballkanin, shkarkohet trajneri Shkëmbi
Janë luajtur sot dy sfida të Superligës së Kosovës: Ballkani-Arbëria 2-3 dhe Drenica-Llapi 4-2

Janë luajtur sot dy sfida të Superligës së Kosovës, të vlefshme për javën e 33-të. Surprizon Arbëria, e cila po lufton për mbijetesë dhe në këtë javë ka arritur të marrë një fitore 3-2 në Suharekë përballë Ballkanit. Tri pikë të arta për të besuarit e trajnerit Arbnor Morina, ndërsa skuadra e Blendi Shkëmbit e bën gjithçka të vështirë përsa i përket fitimit të titullit.

Ndërkohë, për trajnerin e Ballkanit nuk ka vonuar dhe masa ekstreme e marrë nga klubi, shkarkimi nga detyra. Rezultatet e dy ndeshjeve të fundit kanë rezultuar fatale për ish-mesfushorin kuqezi.

Largësia me vendin e parë, Prishtinën, tashmë është pesë pikë, ndërsa kanë mbetur dhe tri javë deri në përfundim. Golat për Arbërinë u shënuan nga Kreshnik Bahtiri 20’, 47’ dhe Agon Llugiqit 67’. Për Ballkanin shënuan Arbër Shala 45’ dhe Arbër Hoxha 87’.

Drenica ka marrë një fitore të rëndësishme në shtëpi, 4-2 përballë Llapit, duke u larguar ndjeshëm nga zona e ftohtë e klasifikimit. Vendasit kaluan në avantazh me një autogol të Anthony Monin (4’), ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Donald Rapo (48’), Osman Mëziu (80’) e Gentrit Dumani (86’). Për Llapin golat u shënuan nga Amir Hossari (9’) dhe Sava Gardasevic (86’).