Janë luajtur sot katër ndeshje të Superligës së Kosovës në kuadër të javës së 31-të. Skuadra kryesuese e kampionatit, Ballkani ka marrë një fitore të rëndësishme, duke triumfuar 1-0 përballë Llapit. Goli i vetëm i kësaj sfide, me vlerën e tri pikëve është shënuar nga Baftiu në minutën e 33-të.
Një ndalesë e papritur për Dritën, e cila ka humbur terren pas atij barazimi 1-1 në fushën e Besës së vendit të fundit. Vendasit kaluan të parët në avantazh me golin e Ardit Tahirit në minutën e 13-të, ndërsa goli i barazimit u shënua nga Haxhimusa në minutën e 62-të. Një barazim që e zbret Dritën në vendin e tretë.
Ndërkohë, Prishtina është ngjitur në vendin e dytë pas fitores 3-1 përballë Trepça’89, duke rritur ndjeshëm mundësitë për fitimin e titullit. Dopieta e Leutrim Kryeziu (67’, 76’) dhe një gol i Endrit Krasniqi (49’), hipotekuan suksesin e radhës për prishtinasit, ndërsa goli i vetëm për Trepça’89 u shënua nga Arbnor Muja në minutën e 69-të.
Përballja mes Gjilanit dhe Drenicës është mbyllur në barazim 0-0.