RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës: Ballkani, “poker” ndaj Besës, fiton edhe Gjilani

  • 10/04/2021
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës: Ballkani, “poker” ndaj Besës, fiton edhe Gjilani
Janë luajtur sot dy ndeshje të javës së 28-të të Superligës së Kosovës: Ballkani-Besa 4-1 dhe Gjilani-Feronikeli 1-0

Superliga e Kosovës ka zbritur sot në fushën e lojës me dy ndeshje, të vlefshme për javën e 28-të. Ballkani ka arritur një fitore bindëse në shtëpi, duke mundur Besën e vendit të fundit me një rezultat 4-1. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, golit të Meriton Korenicës në minutën e 5-të iu përgjigj Ardi Qorri.

Në pjesën e dytë skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi arriti të shënojë tre gola, me autorë: Nazmi Gripshit 56’, Meriton Korenicës 69’ dhe Arbër Prekazit 80’, duke kompletuar pokerin në këtë sfidë, 4-1. Një fitore që ka sjellë dhe vendin e parë në klasifikim, në kuotën e 58 pikëve, po aq sa ka edhe Drita, që nesër luan në fushën e Llapit.

Në ndeshjen tjetër, Gjilani ka arritur të mundë 1-0 Feronikelin me golin e shënuar nga Gerard Progni në minutën e 20-të nga një goditje dënimi. Gjilanasit kishin dhe mundësi të tjera shënimi, por nuk arritën të finalizojnë si duhet, sidomos në minutën e 36-të kur Keita Razak gaboi nga pika e 11-metërshit.