RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës, drejt javës së 6-të

  • 24/09/2021
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës, drejt javës së 6-të
 Luhet të shtunën dhe të dielën, spikat dueli i kreut, Ballkani-Malisheve dhe derbi i Gjilanit

Niveli më i lartë i Kampionatit të Futbollit të Kosovës, Superliga, luan në fundjavë takimet e javës së saj të 6-të dhe dalëngadalë kanë nisur të përvijohen edhe dy grupet e ekipeve, nga njëra anë ato që do të luftojnë për titullin “kampion” dhe për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, dhe nga ana tjetër, ato që do të luftojnë për mbijetesën.

Dhe të këtij grupit të fundit janë përballjet që do të luhen të shtunën, duke nisur nga ora 15:00, teksa Llapi i vendit të fundit pret në fushën e vet Drenicën e Skënderajt, që mban vendin e 4-t. Ndërkaq, Dukagjini i vendit të parafundit viziton Ulpianën, që është vetëm një shkallë më lart në renditje.

Të dielën luhet 3 ndeshjet e tjera, që gjithashtu nisin në ora 15:00 dhe spikat dueli midis Ballkanit kryesues dhe të papriturës së këndshme të këtij sezoni, Malishevës. Skuadra nga Suhareka ka 11 pikë pas 5 javëve të parë, një më tepër sesa Malisheva, dhe dueli i së dielës do të jetë një sprovë për të dyja skuadrat sa i përket potencialit të tyre për të luftuar për kreun.

Ndërkaq, nga kjo përballje synon të përfitojë Drita e Gjilanit, që ndan vendin e parë dhe të dytë me Ballkanin, me nga 11 pikë secila. Por Drita nuk pritet ta ketë të lehtë të dielës, sepse përballet në derbin e qytetit me Gjilanin, që mban vendin e 5-të, me 6 pikë. Në takimin e fundit, Prishtina udhëton drejt Drenasit, për t’u ndeshur me Feronikelin.

 Superliga e Kosovës

Java e 6-të:

 

Të shtunën, 25 shtator 2021:

Llapi - Drenica                        (15:00)

Ulpiana - Dukagjini                (15:00)

 

Të dielën, 26 shtator 2021:

Drita - Gjilani                          (15:00)

Feronikeli - Prishtina   (15:00)

Malisheva - Ballkani              (15:00)

 

Nr.    Skuadra                         N.      F.       B.      H.      Gsh-Gp       Pikë

  1. Ballkani                         5       3       2       0       8-4              11
  2. Drita e Gjilanit               5       3       2       0       5-1              11
  3. Malisheva                      5       3       1       1       8-3              10
  4. Drenica Skënderaj         5       3       1       1       6-5              10
  5. Gjilani                            5       1       3       1       5-5                6
  6. Feronikeli                      5       2       0       3       4-4                6
  7. Prishtina                        5       1       2       2       5-6                5
  8. Ulpiana                          5       1       1       3       7-10             4
  9. Dukagjini                       5       0       2       3       4-7                2
  10. Llapi                               5       0       2       3       1-8                2