RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës: Prishtina i afrohet titullit

  • 09/05/2021
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës: Prishtina i afrohet titullit
Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 34-ët, Prishtina ka nevojë nevojë vetëm për një pikë në dy javët e fundit për tu shpallur kampion

Superliga e Kosovës ka zbritur sot në fushën e lojës me javën e saj të 34-ët, ndërsa kanë mbetur dhe dy të tjera për tu luajtur. Prishtina e vendit të parë ka arritur një fitore të mundimshme ndaj Feronikelit, 2-1 në “Fadil Vokrri”. Një sukses që krijon mundësinë për titull, tashmë bardhekaltrit kanë nevojë vetëm për një pikë për tu shpallur kampionë pas tetë vitesh.

Leonit Abazi kaloi në avantazh vendasit që në minutën e 5-të, ndërsa në minutën e 34-ët, Ardit Nika shkaktoi një autogol duke vendosur barazpeshën. Gjithsesi, goli i fitores për Prishtinën mbërriti në minutën e 67-të, moment kur portieri i Feronikelit shkaktoi autogol. Simonovski në minutën e 75-të kishte mundësinë më të mirë për të vendosur barazpeshën, por gaboi nga pika e bardhë.

Dy ndjekësit më të afërt të Prishtinës, Drita dhe Ballkani, nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1 në përballjen mes tyre. Me këtë rezultat, Drita është akoma në lojë për titull, ndërsa Ballkani është dorëzuar pasi diferenca me kreun është 7 pikë. Në këtë sfidë Drita kaloi e para në avantazh me golin e Xhevdet Shabanit 17’, ndërsa skuadra nga Suhareka barazoi në fundin e pjesës së parë me anë të Mirlind Dakut.

Një garë e fortë po zhvillohet dhe mes skuadrave që po luftojnë për mbijetesë. Trepça’89 mori një fitore me përmbysje, 2-1 përballë Gjilanit. Shpend Kelmendi në minutën e 22-të kaloi gjilanasit në avantazh, por dopieta e shënuar nga Arbnor Muja në minutat 56’ dhe 68’ përmbysi gjithçka.

Tri pikë të rëndësishme për Llapin, që ka mundur 1-0 Besën e vendit të fundit. Gjithçka u vendos në minutën e 57-të nga një gol i Elvis Prençit. Sfida mes Arbërisë dhe Drenicës, dy skuadra që kërkojnë mbijetesën, është mbyllur në barazim 1-1. Vendasit kaluan të parë në avantazh me anë të Dos Santos në minutën e 23-të, ndërsa për Drenicën barazoi Kreshnik Uka me penallti në minutën e 58-të.