RTSH Sport Live

Superliga e Kosovës: zhgënjen Prishtina, Rustem Hoxha nderon Ballkanin

  • 11/09/2021
  • |
  • Kosova
Superliga e Kosovës: zhgënjen Prishtina, Rustem Hoxha nderon Ballkanin
Janë luajtur sot tri sfida të Superligës së Kosovës, të vlefshme për javën e tretë

Janë luajtur sot tri ndeshje të javës së tretë të Superligës së Kosovës, ku bie në sy humbja e Prishtinës. Kampionët në fuqi kanë pësuar humbjen e dytë në këtë sezon, teksa së fundmi janë mundur nga Drenica në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj me rezultatin 2-1. Për vendasit golat u shënuan nga Denison në minutën e 9-të dhe Zabërgja në minutën e 63-të. Për Prishtinën golin e vetëm e shënoi Otto John në minutën e 73-të. Prishtina nga minuta e 38-të luajti me një lojtar më pak për shkak se Erando Karabeci u ndëshkua me kartonin e kuq.

Fitore në shtëpi për Ballkanin, 3-2, por jo aq e lehtë sa mund të mendohej përballë Ulpianës. Vendasit kaluan që në minutën e 5-të në avantazh me anë të Armend Thaçit, ndërsa në minutën e 53-të dyfishoi rezultatin Astrit Thaçi. Por Ulpiana arriti të reagojë duke barazuar rezultatin me anë të Selimit 72’ dhe Shalës 90’. Goli i fitores për Ballkanin u shënua nga Rustem Hoxha në fundin e shtesës, duke fiksuar suksesin 3-2.

Ndërkohë, skuadra e Dritës ka triumfuar në transfertë, duke fituar 1-0 përballë debutuesve të Malishevës. Goli i vetëm i kësaj sfide u shënua nga Ardit Tahiri në minutën e 83-të, një moment ku u desh ndërhyrja e VAR për të konfirmuar nëse topi e kishte kaluar vijën e portës.