RTSH Sport Live

Surpriza e çerekfinaleve, eliminohet Spanja

  • 28/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Surpriza e çerekfinaleve, eliminohet Spanja
Portugalia dhe Kazakistani në gjysmëfinale me përmbysje, rrëzohet edhe Irani

Kampionati Botëror i Futbollit të Sallës, i cili është duke u zhvilluar në Lituani, ka sjellë të tjera surpriza në raundin çerekfinal. Eleminohet Spanja, e cila është dy herë kampione, por dhe Irani, që në pjesën e parë ishte në avantazh. Për nga potenciali dhe emri janë disi larg njëri-tjetrit, por e përbashkëta është se janë mundur me përmbysje nga kundërshtarët e tyre. Spanja humbet penallti në fundin e pjesës së parë me Adri Martinez, ndërsa Portugalia kishte plotësuar numrin pesë të faullave të shkaktuar.

Dhe sapo ka nisur pjesa e dytë, brenda një minute, Spanja e sheh veten në avantazhin e dy golave. Fillimisht Adolfo Fernandez në të 22’ dhe më pas Adri Martinez në të 31’. E duket sikur këtu përfundon ndeshja për iberikët, të cilët bien në vetëkënaqësi dhe i lëshojnë terren kundërshtarit, që di të përfitojë. Andre ngushton rezultatin në të 31’, kjo dhe për shkak të gabimit të portierit Herrero në pritjen e topit. Në të 36’ realizon Ziki i harruar nga mbrojtja spanjolle e ndeshja shkon në kohën shtesë.

Në shtesën e parë Raja shkakon autogol në të 43’, ndërsa u përpoq të kthente një top tek Herrero, që kishte dalë nga porta e tij. Dhe suksesin e Portugalisë e vulos Pani në të 48’. Në ndeshjen tjetër, pjesa e parë është për Iranin, 2-0 falë golave të Oladgobad në të 8’ dhe Esmaeilpur në të 15’. Pjesa e dytë është e tëra e Kazakistanit, që ngushton rezultatin në të 25’ me Tursagulov.

Barazon Knob në të 29’ dhe një minutë përpara përfundimit të ndeshjes Tajnan firmos kalimin në gjysmëfinale për Kazakistan. Kështu Portugali – Kazakistan do të jetë gjysmëfinalja e dytë e Kampionatit Botëror të Futbollit të Sallës, që zhvillohet më 30 shtator në ora 19:00, ndërsa një ditë më parë Brazili e Argjentina do të jenë në duelin e tyre për vajtjen në finalen e madhe të 3 tetorit në Kaunas.