Lajmi ishte i ditur, por tashmë ka ardhur edhe qëndrimi zyrtar i Suzukit. Në fund të vitit 2022 ekipi japonez do të largohet nga MotoGP. Shtëpia Hamamatsu ka lëshuar një deklaratë në të cilën pranon se janë duke u zhvilluar negociata me Dorna, kompaninë spanjolle që organizon Kampionatin Botëror, për të gjetur një marrëveshje që do t’i kënaqë të dy palët. "Suzuki Motor Corporation është në bisedime me Dornan në lidhje me mundësinë e përfundimit të pjesëmarrjes së saj në MotoGP në fund të vitit 2022”.
“Fatkeqësisht, situata aktuale ekonomike dhe nevoja për të fokusuar përpjekjet e saj në ndryshimet e mëdha me të cilat po përballet bota e automjeteve në vitet e fundit, po e detyrojnë Suzukin të zhvendosë kostot dhe burimet njerëzore për të zhvilluar teknologji të reja. Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për të gjithë ata që kanë mbështetur aktivitetet e motorëve të Suzukit për shumë vite dhe për të gjithë fansat tanë që na kanë dhënë mbështetjen e tyre entuziaste” – shkruhej në njoftimin zyrtar të kompanisë së Suzukit.
Fjalë që tingëllojnë si një njoftim i dhimbshëm lamtumire. Ditët e fundit Dorna kishte kujtuar se “kushtet e kontratës së nënshkruar për të garuar në MotoGP nuk e lejojnë Suzuki-n të largohet në mënyrë të njëanshme”. Por gjithashtu në rast të një marrëveshjeje të ndërsjellë, Dorna do të "vendoste për numrin ideal të pilotëve dhe ekipeve në MotoGP nga viti 2023". Dorna ka lajmëruar se ka kompani të tjera motorësh që janë të gatshëm të konkurrojnë në botërorin e MotoGp.