RTSH Sport Live

Taekuondoja, kamp stërvitor në kryeqytet

  • 18/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Taekuondoja, kamp stërvitor në kryeqytet
Gjimnazi “Sami Frashëri” mbushet me sportistët e Shqipërisë, Greqisë dhe Malit të Zi

“Tirana Challenge” në taekuondo ka mbushur palestrën e gjimnazit “Sami Frashëri”. Julian Caca, organizatori i këtij aktiviteti, në të cilën ka pjesëmarrje dhe nga shtetet fqinje, tregon dhe qëllimin e këtij kampi stërvitor.

"Prej vitesh ne kemi marrë iniciativën për masivizimin e sportit të taekuondosë, por gjithashtu këto kampe stërvitore, përveç masivizimit, krijojnë dhe konkurrencë të madhe dhe cilësi në nivelin e sportistëve", bën të ditur Julian  Caca, organizatori i aktivitetit.

Por si është cilësia e pjesëmarrjes në këtë kamp stërvitor, që ka nisur të premten e përfundon të dielën?

“Këtu kemi një pjesëmarrje mbi 130 sportistë nga Greqia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Janë pesë ekipe të Shqipërisë, të cilët janë aktualisht në këtë eveniment. Kemi pjesëmarrje të madhe nga Greqia, diku tek 35 sportistë. Madje janë diku tek 20 sportistë nga kombëtarja e Malit të Zi", thotë Caca.

A mund të jetë një aktivitet i përvitshëm, apo është një kamp stërvitor që do të mbyllet shpejt?

“Kjo është një nisje e frytshme, një përpjekje disavjeçare për të arritur deri në këtë fazë. Është një aktivitet që do të vazhdojë të organizohet edhe në vitet në vazhdim, ndërsa kemi premisa jo vetëm për masivizim, por dhe për nivele akoma dhe më të larta", nënvizon Caca.

Ndërkohë Fikret Dushku, trajneri i Ulqinit në taekondo, tregon dhe arsyen se përse i janë bashkuar këtij kampi stërvitor.

"Këto pjesëmarrje për sportistët tanë në sportin e taekuondosë janë shumë të rëndësishme dhe uroj që këto aktivitete të zhvillohen sa më shpesh normal mbi bazën e një programi të paracaktuar. Ne kemi ardhur që të përkrahim këtë aktivitet dhe shokun e kolegun tonë Julian Caca", thekson Dushku.

Dushku rrëfen dhe cilësinë e taekondosë malazeze, ndërsa pretendohet që të arrihet dhe norma e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

"Niveli i taekuondosë në Malin e Zi ndodhet në nivelin e dytë. Jemi të kënaqur dhe jemi lart mund të themi pasi sporti i taekuondosë është një sport individual. Objektivat tona janë thuajse të njëjta, secili ka dëshirën për të arritur në Lojërat Olimpike", bën të ditur Dushku.

A ka mundësi që në një të ardhme ky kamp stërvitor të kthehet në një turne të hapur ndërkombëtar, qoftë dhe duke u zhvilluar në palestrën e gjimnazit “Sami Frashëri”?

“Pikërisht ne e përzgjodhëm këtë palestër, sepse ka kushtet model për të ofruar një stërvitje sa më të mirë. Për një aktivitet ndërkombëtar na duhen përmasa më të mëdha siç është "Asllan Rusi", apo "Feti Borova", ka përfunduar Caca.