RTSH Sport Live

Tanushi, fitorja e Shqipërisë U19

  • 22/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
Tanushi, fitorja e Shqipërisë U19
Vajzat kuqezi, që drejtohen nga Kreshnik Krepi, kanë mundur Andorrën, 1-0

Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç për femra, e cila drejtohet nga Kreshnik Krepi, ka marrë fitoren e parë në kualifikueset e Kampionatit Europian, Liga B, që është duke u zhvilluar në Andorra. Për vajzat kuqezi ka vlejtur Tanushi, e cila në fundin e lojës i ka dhënë një trepikësh me vlerë skuadrës. Në fakt, ndryshe nga përballja me moldavet, Shqipëria U-19 ka më tepër iniciativë dhe kërkesë në sulm ndaj Andorrës.

Krijohen rastet, por mungon finalizimi. Dhe në fundin e pjesës së parë, pikërisht në të 43’, Da Kruz është frenuar nga Hyska. 15 minutat e fundit të lojës kanë qenë vendimtare për Shqipërinë. Qose në të 77’ është pranë golit, por ka pritur Isai Sançez, e cila në të 82’ frenon dhe Iljadhin. Dhe atëherë kur të gjithë e mendonin barazim këtë sfidë vjen goli i avantazhit për Shqipërinë, ndërsa në të 90’, Tanushi ekzekuton në mënyrë perfekte goditjen dënimit.

Mund të kishte barazuar Sole Palau në minutën e dytë shtesë, ashtu sikurse mund të kishte dyfishuar Iljadhi, që është ndalur nga shtylla. Në përfundim 1-0 për Shqipërinë, që ngjitet në kuotën e katër pikëve, kurse grupi kryesohet nga Uellsi me 6 pikë, skuadër e cila mundi Moldavinë, 4-0. Të hënën në ora 15:00, Shqipëria e moshës deri në 19 vjeç luan ndeshjet e fundit ndaj Uellsit me shpresën se do të jetë në vendin e parë në grupin 3 të Ligës B.