RTSH Sport Live

Tare-Roma, “betejë” diplomatike

  • 01/10/2021
  • |
  • Itali
Tare-Roma, “betejë” diplomatike
Drejtori sportiv i Lacios i kundërpërgjigjet Murinjos dhe Pintos

Jose Mourinho, Tiago Pinto dhe një pjesë e madhe e drejtuesve të Romës, prej 4 ditësh vazhdojnë të sulmojnë Lazion për mënyrën se si arriti te fitorja në derbi, duke akuzuar gjyqtarët e sfidës. Një kaos i vërtetë diplomatik në ambjentet sportive italiane që duket se do të vazhdojë gjatë. Pas akuzave të Mourinhos dhe deklaratës së fundit të tij që e cilësoi Lazion një skuadër të vogël, drejtori sportive Pinto vazhdon të sulmojë verbalisht bardhekaltërit por kjo sjellje ka ngjallur reagimin e homologut të tij, Igli Tare, që zgjedh të hidhet në sulm duke dalë me një qëndrim të fortë.

“Nuk më ka pëlqyer aspak ajo që bëri Roma pas ndeshjes. Është një surprizë për ne që të dëgjojmë edhe tani pas 4 ditësh që ata të flasin për gabimet e arbitrave edhe pse të tilla ka pasur por kundër Lazios”.

I pyetur nga “Sky Sport” nëse me këtë deklaratë ka dashur t’i kundërpërgjigjt Pintos, Tare ishte i drejtëpërdrejtë. 

“Po, nuk më pëlqeu ajo që ai tha pas ndeshjes. Duhet të mësosh ta pranosh humbjen dhe të mësosh prej saj ashtu siç bënë edhe me fitoren e tyre në Europë. Mjafton të analizosh çdo episod të derbit për të kuptuar se nuk ka pasur asnjë gabim në dëm të Romës, madje ka pasur disa gabime që penalizuan Lazion si në rastin e 11-metërshit”.  

Përplasje frontale kjo e drejtuesit shqiptar të klubit bardhekaltër dhe krahut tjetër të Romës. Igli Tare zgjedh këtë herë që të dalë në mbrojtje të bardhekaltërve dhe këtë e bën në një moment pozitiv për skuadrën e Maurizio Sarrit duke u ndalur në fund edhe te një koment për Thomas Strakoshën, i cili nuk po kalon një moment pozitiv por në sfidën europiane kundër Lokomotivës së Moskës, trajneri toskan i besoi vendin e titullarit.

“Strakosha tashmë është një portier me eksperiencë dhe gjesti i tifozëve tanë ishte fantastik. As ai nuk e priste një mbështetje të tillë nga ana e tyre. Gabime si ai i Stambollit u kanë ndodhur shumë portierëve të tjerë dhe Strakosha duhet të shikojë përpara”. 

Në sfidën e luajtur në “Olimpico”, Strakosha bëri disa ndërhyrje vendimtare duke ruajtur të paprekur portën në sfidën e dytë europiane të Lazios kundër Lokomotivës së Moskës, ndërsa Elseid Hysaj u përzgjodh sërish titullar nga trajneri Maurizio Sarri duke bindur në paraqitjen e tij pas ndeshjes pozitive të derbit.