RTSH Sport Live

Telushi, kontratë zemre me Partizanin

  • 03/06/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Telushi, kontratë zemre me Partizanin
Vlonjati lider në skuadërn e kuqe flet për emocionet e titullit të dytë

27 ndeshje, më shumë se 1700 minuta pas shumë muajve të komplikuar që shoqëruan operacionin në gju. Pikëpyetje të mëdha rreh formës por asnjëherë rreth cilësive. Bruno Telushi u rikthye në shtëpinë e tij. Nuk zhgënjeu me fanellën e kuqe e madje triumfoi me një titull që vjen 4 vite pas suksesit të fundit që Partizani kishte regjistruar në kampionat.

“Ky kampionat ndryshe ngai ai i kaluari ku fituam u karakterizua nga uljet dhe ngritjet e shpeshta të ekipit. Por si përfundim them se jam I lumtur për mënyrën se si mbaroi gjithçka”, tha Bruno Telushi.

Dëmtimi i komplikuar i pasuar nga një sezon që mendohej i komplikuar pasi ndryshoi pozicion. Nga mesfusha Telushi u tërhoq në mbrojtje dhe sot pas një sezoni transformimi ëshët i plotë. “Në pozicionin e ri ndihem mjaft komod dhe mendoj se do të vazhdoj të luaj gjithmonë në mbrojtje. Dua që të vazhdoj të jap kontributin tim në ekip në atë pozicion”, shpjegon Telushi.

Po sa e vështirë ishte për Partizanin ta fitonte këtë titull duke llogaritur edhe largimet e rëndësishme në janar. “Më duhet ta pranoj se e kishim të vështirë që të mësoheshim me mungesa të rëndësishme në fushë. Na u desh pak kohë, por treguam se jemi në grup solid dhe kalojmë ç’do vështirësi së bashku”, tha mbrojtësi vlonjat.  

Ku ndryshon kjo skuadër nga ajo e Skënder Gegës? “Mendoj se formacioni i atij viti ka luajtur me shumë presion pasi titulli mungonte prej shumë vitesh dhe në këtë aspekt them se formacioni i këtij viti ishte mjaft komod. Ndërsa në aspektin personal titulli i sapo fituar ka mjaft domethënie dhe është më i bukur pasi kalova shumë peripeci në infermieri”, arsyeton Telushi.  

Partizani është shtëpia e tij, skuadra e zemrës me të cilën ka një kontratë zemre sepse për firma e formalitete me skuadrën e kuqe ai nuk ka nevojë.