RTSH Sport Live

Tension te Kukësi

  • 08/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Tension te Kukësi
Lojtarët refuzojnë stërvitjen. Në janar do të ketë ndryshime të mëdha

Probleme për trajnerin Enkeleid Dobi që pas tre humbjeve duhet të punojë edhe me situatën aspak normale të skuadrës në dhomat e zhveshjes. Tekniku durrsak ishte i pari që mori përgjegjësitë pas disfatës me Vllazninë duke premtuar reagim nga ana e skuadrës por të tillë vështirë se mund të ketë. Askush nuk flet në kampin verilindor për situatën e krijuar por të hënën skuadra nuk pranoi të stërvitej rregullisht. Jo të gjithë lojtarët kanë qenë në të njëjtën mendje por situata vazhdon të mbetet delikate.

Një asist Kukësit ia jep Kupa e Botës pasi me ndeshjen e fundit që do të luhet përpara evenimentit planetar, klubi do të bëjë llogaritë me laps e letër për të riformatuar ndoshta një pjesë të madhe të skuadrës që kërkon shlyerjen e detyrimeve financiare. Dy muaj në dispozicion të drejtuesve për të zgjidhur një situatë të komplikuar por është e sigurt që një pjesë e lojtarëve aktuale të cilët kanë zhgënjyer në pritshmëri, do të largohen që në merkaton e janarit për të kërkuar destinacione të tjera për të ardhmen e tyre.

Pas 11 javëve të para, Kukësi është në zonën e rënies nga kaegoria me vetëm 11 pikë të grumbulluara ndërsa ndeshjen e fundit të vitit 2022 do ta luajë në Kamëz kundër Kastriotit që në fazën e parë doli me 3 pikë nga “Kukës Arena”.