Teuta ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në javën e 26-të të Kategorisë Superiore, duke mundur Laçin me rezultatin 1-0. Një sukses që i ka dhënë dhe vendin e parë në klasifikim, me pikë të barabarta me Vllazninë.
I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, mesfushori i skuadrës durrsake, Asion Daja ka deklaruar:
“Fitorja ndaj Laçit ishte më shumë një detyrim për ne për të arritur objektivat. Vendi i parë është dhe përgjegjësi për ne se më e vështirë është ta mbash se sa ta arrish. Kjo na jep shtysë për të dhënë më shumë. Premio? Morëm, janë normale në Durrës”
“Nuk është se kishim presion, pasi na kërkohet vetëm të bëjmë lojën tonë. Për këtë ndeshje kishim kohë mjaftueshëm për të përgatitur ndeshjen. Na është kërkuar loja në radhë të parë, pasi goli do të dilte ashtu siç doli. Kishim mundësitë për më shumë, por jemi të kënaqur me tri pikët dhe marrjen e kryesimit”.
“Laçi është një rival direkt dhe ke mundësinë të shikosh dhe forcën e ekipit. Mendoj se ishim më lart se kundërshtari, me gjithë respektin që kam për këtë skuadër”.
“Goli është një meritë e Bregut, por në Durrës atë ditë kishte dhe shumë erë, që ndikoi. Trajneri mundohet gjithmonë të na tregojë forcën tonë reale, që të besojmë në forcat tona, pasi kemi një ekip të kompletuar. I kemi të gjitha mundësitë për ti bërë ballë çdo ekipi”.
“Presioni? Është I pranishëm,por kur fiton çlirohesh. Edhe në ndeshjet e tjera kemi krijuar shumë raste dhe kemi humbur, një situatë e tillë të bllokon. Pas ndeshjes me Laçin ishte një çlirim nga të gjithë”.
“Sezoni i Dajës te Teuta? Të them të drejtën, prisja më shumë që në fillim. Por respektoj vendimin e trajnerit. Nuk e shikoj tek trajneri, por e shikoj tek vetja ime si të thuash, gabimin. Është bërë zgjedhja më e mirë që qëndrova. Trajneri e do gjithmonë lojtarin e mirë, nuk dëshiron ta lërë në stol. Ndoshta nuk kam qënë unë në atë standart që kërkon trajneri, shpresoj ta kemë arritur”.