RTSH Sport Live

Teuta-Erzeni, në RTSH

  • 14/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta-Erzeni, në RTSH
Java e 12-të e “Abissnet Superiore” do të mbyllet me sfidën mes Partizanit dhe Bylisit

Teuta pret në derbi Erzenin, në orën 13:00, në stadiumin “Arena Egnatia”, ndeshje që do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Bregdetarët, si asnjëherë tjetër në vitet e fundit, ndodhet në vendin e fundit në klasifikim dhe do të kërkojnë ringritjen pas tri ndeshjeve pa fitore.

Trajneri i durrsakëve është i vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj sfide, por kjo nuk e pengon të mendojë vetëm tri pikët. “Erzeni meriton shumë komplimenta, jo vetëm për faktin që ka thyer çdo parashikim, por dhe për atë që jep në fushën e lojës. Gjithsesi, ne do të zbresim në fushën për të marrë tri pikët”.

Nga ana tjetër, shijakasit kanë treguar se janë një kockë e fortë për këdo. Një surprizë e bukur e këtij sezoni, nuk janë më një rastësi, pretendojnë të marrin sa më shumë që të jetë e mundur në çdo ndeshje.

Ndërkohë, ndeshja që do të mbyllë javën e 12-të të “Abissnet Superiore” do të jetë ajo mes Partizanit dhe Bylisit. Gjithçka do të nisë në orën 16:00, në stadiumin e ri “Partizani”, nën dritat e prozhektorëve. Kjo është ndeshja e parë e të kuqve në shtëpinë e re, duke kërkuar të harrojnë dy humbjet radhazi.