RTSH Sport Live

Teuta, fitorja që nuk kënaq askënd

  • 13/03/2023
  • |
  • Basketboll
Teuta, fitorja që nuk kënaq askënd
“Djemtë e detit” mundin Vllazninë, 101-68, por Lazimi ka vërejtje për të tijët

Teuta në basketboll për meshkuj vazhdon të fitojë dhe të jetë e pathyeshme në fushën e saj. Kështu ka bërë dhe të shtunën, ndërsa në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka mundur Vllazninë, 101-68.

Vetëm perioda e parë ka qenë e ekuilibruar, e cila ka përfunduar barazim 19-19. Më pas Teuta nis shkëputjen, ndërsa në pushim ka kryesuar 42-36. 25-13 perioda e tretë për “djemtë e detit” që thellon në 67-49. E fundit 32-19 dhe në total 101-68.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Teutës, Melzin Lazimi, është shprehur i pakënaqur me të tijët, përtej fitores në diferencën e 32 pikëve, atje ku u dalluan Paterson me 24 pikë dhe Kristi Gorea me 19 pikë.

“Pjesërisht i këanqur dhe besoj se treguam cilësitë tona vetëm në dy periodat e dyta. Mendoj se ekipi rival ndikoi shumë në fillim duke na ulur ritmin, por më pas ne mundëm që të zgjoheshim dhe të bënim një lojë që na kënaq vetëm pjesërisht”, tha Melzin Lazimi.