RTSH Sport Live

Teuta, gjysmëfinaliste pa shumë mund

  • 09/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta, gjysmëfinaliste pa shumë mund
Vlen penalltia e kthyer në gol nga Hebaj, Skënderbeu çon dëm një mori rastesh për shënim

Teuta është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Shqipërisë. Për “djemtë e detit” ka vlejtur penalltia e kthyer në gol nga Hebaj në të 8’, por dhe fitorja e ndeshjes së parë në Korçë. I gjithë suksesi i durrsakëve ka ardhur në minutat e para, ndërsa në të 6’ Teuta fiton njëmbëdhjetëmetërshi, që do t’i jepte kualifikimin. Zguro pengon Qaqin dhe Ziri nuk fal, ndërsa ndëshkon kapitenin e Skënderbeut me karton të verdhë, kurse penalltia fatlume e Teutës konfirmohet edhe nga sistemi Var. Pas këtij momenti, Skënderbeu zgjohet, tanimë për të treguar se është e denjë edhe për t’i bërë keq Teutës, teksa gjërat janë të hapura në kampionat.

Sadriu është i pavëmëndshëm në të 17’, ndërsa topi i bie në kokë dhe del jashtë. Zguro është problematik me shpërthimet nga krahu i majtë, por korçarët nuk ia shpërblejnë mundin. Kështu ka ndodhur në të 37’, ndërsa krosimi i Zguros nuk shfrytëzohet as nga Mensah e as nga Frashëri. E njëjta gjë edhe në të 40’, kurse ishte radha e Pusit për të shpërdoruar. Në vërshëllimën e fundit të Zirit në pjesën e parë, Teuta e ka parë në avantazh veten 1-0. Pjesa e dytë nis përsëri aty ku e la Skënderbeu.

Në të 48’ provon Frashëri për të shënuar, por Jazenxhi është në pozicionin e duhur për të larguar topin. Për korçarët tenton dhe Mara nga rreth 20 metra në të 51’, por jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Qirko. Skënderbeut i anullohet një gol nga sistemi VAR. Kjo ka ndodhur në të 62’, ndërsa Shehi mendohej se kishte rihapur kualifikimin duke barazuar shifrat. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi dhe rrëmuje në zonë, mbrojtësi korçar është i fundit që shtyn topin në rrjetë.

Kontroll i gjatë i VAR për faull në zonë dhe pozicion jashtë loje. Në fund, gjyqtaria anulon golin për pozicion jashtë loje. Teuta shtyn minutat, ndërsa i fundit që kërkon të shënjestrojë portën durrsake për Skënderbeun është Mensah në të 75’, veçse nuk ka shënjestrën e duhur. Përfundimisht, Teuta gjysëmfinaliste me shumë probleme brenda kësaj skuadre, atje ku cilësia e lojës lë shumë për të dëshiruar.