RTSH Sport Live

Teuta kërkon të thyejë “mallkimin”

  • 09/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta kërkon të thyejë “mallkimin”
Skënderbeu me pak shanse mendon për kampionatin ku lufton për mbijetesën

Teuta vazhdon të heshtë. Situata në kampionat nuk është komode ndërsa skuadra punon larg vëmendjes mediatike edhe kur përpara ka një duel të lehtë në letër si ai kundër Skënderbeut. Sfida e kthimit e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë do të jetë një test që mund t’i shërbejë kampionatit edhe pse kampionët kërkojnë me çdo kusht kualifikimin për në gjysmëfinale pasi ky kompeticion është e vetmja rrugë që i çon drejt Europës.

Arapi dhe Starova duhet të kolaudojnë sa më mirë mekanizmat e skuadrës që po vuan mungesën e vazhdimësisë dhe humbja 4-0 ndaj Partizanit i dha një shuplakë të rëndë duke e zhvendosur në periferi të zonës së ftohtë me 5 pikë diferencë nga vendi i tetë. Dy drejtuesit e stolit nuk kanë gjetur ende asetin e duhur edhe pse e kanë pothuajse të gjithë skuadrën në dispozicion.

Mbrojtësi Brazilian, Jackson vazhdon të qëndrojë jashtë për shkak të një dëmtimi ndërsa dy trajnerët po punojnë shumë me fazën sulmuese pasi elementët janë por skuadra nuk arrin të reagojë kur ka topin në kontroll. Në krahun tjetër, sfida e mesjavës mund të konsiderohet një ndeshje pothuajse stërvitore për korçarët me mendjen dhe fokusin te Superioja ku rrezikojnë seriozisht qëndrimin mes më të mirëve.

Dy humbjet rresht me Teutën dhe Tiranën në kampionat e kanë lëkundur jo pak trajnerin Migen Memelli, i cili do të hedhe në fushë një formacion eksperimental duke vlerësuar edhe gjendjen jo ideale të skuadrës së tij në këto momente. Asnjë sukses nuk ka arritur të regjistrojë Skënderbeu këtë sezon ndaj djemëve të detit pasi në kampionat numëron një humbje dhe një barazim  ndërsa në Kupë pak ditë më parë u ndëshkua nga goli i Rubin Hebajt që mund të rezultojë vendimtar në fund të këtij raundi.

Ndeshja e kthimit do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 16:45.