RTSH Sport Live

Teuta, Martini: Kujdes nga Bylisi, ja mundësitë për titull

  • 07/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta, Martini: Kujdes nga Bylisi, ja mundësitë për titull
Trajneri i bregdetarëve ka analizuar sfidën e radhës si dhe mundësinë për fitimin e titullit

Teuta do të presë të shtunën në “Niko Dovana” skuadrën e Bylisit, ora 19:00, me objektivin për të marrë tri pikët e radhës, përballë një kundërshtari të etur për pikë. Trajneri I durrsakëve, Edi Martini, në një konferencë për shtyp, ka analizuar sfidën e radhës si dhe mundësitë që kanë të besuarit e tij për të fituar titullin kampion.

“Vijmë në këtë sfidë pas barazimit me Vllazninë. Në pjesën e parë luajtëm më të tërhequr. Duke parë kualitetet e Vllaznisë dhe mënyrën se si luajnë ata, qëndruam pak në mbrojtje. Në pjesën e dytë kërkuam të dilnim përpara, por nuk arritëm të shkonim te porta ashtu siç donim. Prishëm aksionet e Vllaznisë, qarkulluam topin, pavarësisht se bëmë shumë gabime, sidomos te pasimet. Në këto momente janë shumë të rëndësishme pikët, është shumë e rëndësishme ana psikologjike e lojtarëve. Një humbje do na bënte shumë dëm, kështu që gjysma e së keqës ishte barazimi”.

“Përballja me Bylisin? “Nuk ka ndeshje të lehta, ata luajnë për të mos dalë nga kategoria, ndërsa ne luajmë për të dalë kampionë. E shoh si një ndeshje që duhet fituar, por duhet të kemi kujdes. Jemi mirë, gjendja fizike e lojtarëve është e mirë, duke përjashtuar kapitenin Arapi, i cili ka një dëmtim në pulpë, shpresojmë ta kemi gati për ndeshjen tjetër. Pjesa tjetër është në rregull, gjendja e grupit është e mirë, kështu që them se jemi gati për t’u përballur me Bylisin. Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por kjo nuk përbën problem për ne, sepse ne çdo ndeshje e kemi për ta fituar”.

“Është një ndeshje e fortë, Bylis kërkon të marrë diçka nga kjo ndeshje. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, do të futemi në fushë për fitore. Ekipi ka luajtur mjaft mirë në fazën mbrojtëse, kemi presuar shumë lart, nuk kemi lënë ekipet të organizojnë lojën e tyre. Disa shprehen se Teuta ka mbrojtje të fortë sepse luan në mbrojtje, por jo. Ne kemi mbrojtje të fortë sepse presojmë lart, nuk lejojmë ekipet të na afrohen te porta. Shanset janë të mëdha, duke parë nivelin e lojës që kemi treguar gjatë ndeshjeve. Unë them që jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion”.