RTSH Sport Live

Teuta, me forcë maksimale në Ligën e Kampioneve

  • 05/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta, me forcë maksimale në Ligën e Kampioneve
Presidenca ka ruajtur grupin, Seferi mund të bëjë diferencën kundër Sherifit

Teuta rikthehet në UEFA Champions League pas rreth 3 dekadave në një përballje shumë të rëndësishme për sezonin e kampionëve të Shqipërisë. Të mërkurën në orën 19:00 në stadiumin “Niko Dovana”, djemtë e detit sfidojnë Sheriff Tiraspol, një emër jo pak i njohur për skuadrat shqiptare gjatë viteve të fundit. Lajmi i madh në kampin durrsak është përforcimi i skuadrës me sulmuesin e Tiranës, Taulant Seferi i cili ka nënshkruar një konratë me klauzolë europiane por më shumë se lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut, trajnerin Edi Martini e ngroh fakti që grupi nuk ka ndryshuar dhe ai do të hedhë në fushë skuadrën më të mirë të mundshme.

Gruda dhe Todorosvski i kanë hedhur pas krahëve dëmtimet ndërsa skuadra ndihet gati fizikisht pas fazës stërvitore të zhvilluar në Ohër. Prej pak ditësh, ekipi po punon në qytetin bregdetar ndërsa tekniku shkodran beson që skuadra i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë në këtë përballje të dyfishtë.

Konferenca e shtypit përpara duelit së të mërkurës do të zhvillohet të martën në orën 11.00 në ambjentet e stadiumit , ndërsa skuadra do të grumbullohet në hotel përpara duelit të parë. Arbitër i takimit do të jetë bjellorusi Amine Kourgheli me ndihmësa Yury Khomchenko e Viktar Hetsikau.

Për herë të parë pas më shumë se 1 viti, stadiumi i Durrësit do të hapë dyert me 30 % të kapacitetit, ndërsa dueli i kthimit do të luhet në datën 13 korrik në Moldavi.