Dy ndeshje për të arritur Europën dhe 6 pikë për t’ia dalë. Teuta ka nevojë për dy fitore në dy ndeshjet e mbetura për të shpëtuar një sezon të trazuar, duke nisur nga ndeshja me Egnatian. Martini nuk ka shumë zgjedhje për të bërë, edhe sepse formacioni fitues nuk ndryshohet dhe Teuta e shfaqur kundër Kastriotit, deri diku e ka kënaqur teknikun shkodran. Kështu, edhe një herë një 3-5-2, që lejon mbulim të mirë në fazën e moszotërimit të topit duke i dhënë mundësinë Martinit të ketë ekuilibër në fushë.
Përpara Qirkos e njëjta linjë defensive me Goxha, Kouros e Kotobelli, që mund të alternohet mirë me Gjinollarin, të preferuar në të majtë të mesfushës me pesë. Në të kundërt do të operojë Marku, ndërsa Beqja do të ketë detyrën e prishjes së aksioneve të Egnatias, së bashku me Emiljano Vilën.
Më i avancuar në rolin e trekuartistit do të jetë Kallaku, i thirrur në cështje për një detyrë delikate: ai jo vetëm të ndricojë dyshen e sulmit Gruda-Lorenco Vila, por duhet të japë një dorë edhe për mesfushën për të kontrolluar njerëzit e rrezikshëm të rrogozhinasve.
Nuk do të jetë sërisht Karabeci, testet për të cilin kanë evidentuar problem të muskujve të barkut, që praktikisht e kanë bërë ta mbyllë para kohe sezonin. Teuta kërkon të marrë fitoren e dytë radhazi, që në kampionat i mungon nga mesi i shkurtit kur kalonte Kukësin e Tiranën.