RTSH Sport Live

Teuta pa dëshirë, Skënderbeu me pasion

  • 22/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta pa dëshirë, Skënderbeu me pasion
Sfida e luajtur në Kamzë reflekton humorin e ndryshëm te dy skuadrat

Nuk ka dy pa tre por kur tre do të thotë kolona e ndeshjeve pa fitore në kampionat, atëherë këmbana e alarmit duhet të bjerë dhe fort madje. Teuta nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në sfidën që në letër konsiderohej e thjeshtë por Skënderbeu e bëri të vështirë, ashrtu sic po vepron me të gjithë rivalët e këtij sezoni duke rezultuar një kurth i vertëte për këdo që beson se skuadra korcare është një kockë e butë. Mensah konfirmoi edhe një herë se është një sulmues polivalent dhe një nga lojtarët më të fortë të Superiores, duke u konfirmua për të disatën herë hero i skuadrës korcare ndërsa Memelli duket se këtë herë goditi në shenjë me aktivizimin e mbrojtësit 20-vjecar Melos Bajrami, i cili me vetëm pak sekonda më këmbë arriti të barazonte rezultatin në një moment kur Skënderbeu kishte marrë frerët e ndeshjes.

 Lojtari i kombëtares shpresa të Kosovës tregoi karakter dhe reflektoi gjithashtu faktin që pavarësisht problemeve të mëdha që kanë pasur në Korcë gjatë viteve te fundit, nuhatjen për të goditur në shenjë me emra premtues, nuk e kanë humbur. Në ndryshim nga Teuta, sigurisht që Skënderbeu luan pa presionin e fitores, por 8 herë kampionët janë sot një skuadër me formë dhe përmbajtje, pavarësisht mungesës së emrave me peshë dhe cështjeve josportive që i kanë shtyrë drejt humnerës duke i vërtitur drejt zonës së ftohtë për të distain sezon rresht.

Në krahun tjetër, Edi Mardini e ndjekn që kjo skuadër ka nevojë për një motivim ekstra dhe frika më e madhe e tij ndoshtan sot është bërë realitet. Një skuadër është shumë e vështirë për të fituar besimin dhe problemet kryesore në grupin durrsak janë psikologjike pasi klasi nuk mungon dhe këtë e tregoi Lorenco Vila me dy golat e shënuar në një ndeshje nga ku kampionët mund të dilnin me një bilanc edhe më negativ. Teuta sot ka nevojë urgjente për një rindezje pas një sezoni të suksesshëm, lodhja psikologjike dhe jo ajo fizike po rëndon cdo javë e më shumë këmbët e djemve të detit.