RTSH Sport Live

Teuta, surpriza e Ligës Unike

  • 07/11/2021
  • |
  • Basketboll
Teuta, surpriza e Ligës Unike
Durrsakët i shkaktojnë humbjen e parë Golden Eagle Ylli, e mundin 78-72

Teuta në basketboll për meshkuj është surpriza e javës së tretë të Ligës Unike, Shqipëri – Kosovë. Pikërisht në ndeshjen e luajtur në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, Durrës, e cila ka ardhur drejtëpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, durrsakët kanë mundur fituesit në fuqi të Ligës Unike. Bëhet fjalë për Golden Eagle Ylli, që në fakt Teutën e kishte mundur po në Durrës, 73-89, në gjysmëfinalen e Superkupës Mbarëkombëtare.

Por gjërat ishin ndryshe në ndeshjen e së dielës, ndërsa pavarësisht faktit se Golden Eagle Ylli ka fituar periodën e parë, 15-21, madje duke u shkëputur dhe me 13 pikë diferencë, Teuta ka gjetur forcën dhe kurajën për të përmbysur. 22-19 perioda e dytë për Teutën dhe në pushim Golden Eagle Ylli është në avantazh të tre pikëve, 37-40. Teuta është me një ritëm të lartë në periodën e tretë, atje ku jo vetëm ka përmbysur, por dhe është shkëputur me 13 pikë diferencë, 55-42.

19-13 perioda e tretë për durrsakët dhe në total 56-53. Edhe e katërta është për “djemtë e detit” të Melzin Lazimit. 22-19 dhe në përfundim 78-72 për Teutën, që i shkakton humbjen e parë Golden Eagle Ylli. Në ndeshjen tjetër, Peja ka fituar me Kamza Basket, 97-76. Kështu janë një sërë skuadrash që kryesojnë Ligën Unike, të cilat kanë nga dy fitore e një humbje pas tre javësh, duke nisur nga Golden Eagle Ylli, Peja, Kamza Basket, Teuta dhe Prizreni 16. Më pas vijnë Vllaznia e Tirana me nga një fitore e dy humbje dhe renditjen e mbyll Rahoveci me tre humbje në tre ndeshje.