RTSH Sport Live

Tirana, 11 metra larg kualifikimit: Dinamon e pret Partizani

  • 19/11/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Tirana, 11 metra larg kualifikimit: Dinamon e pret Partizani
Bardheblutë janë eliminuar nga Kupa përballë Dinamos pas gjuajtjeve të penalltive

Pasi janë luajtur të mërkurën ndeshjet e kthimit të 7 prej çifteve të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, të enjten në mbrëmje është luajtur ndeshja e kthimit edhe në çiftin e fundit, Tirana-Dinamo, të vlefshëm për grupin A, aty ku një ditë më parë e kishte siguruar kualifikimin edhe Teuta. Partizani dhe Skënderbeu. Dhe ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Arena Kombëtare” të kryeqytetit ka dhuruar një pjesë të parë kryesisht të barabartë, me Dinamon që rrezikon pas 6 minutash lojë, kur Ibraimi harkon goditjen e dënimit te Shofranaci, por portieri bardheblu, Bekaj, është në pozicion.

Është sërish Dinamo që rrezikon 15 minuta më pas, por goditja e lirë e ekzekutuar nga kapiteni Ibraimi shkon jashtë, mbi shtyllën horizontale të portës kundërshtare. Dhe pasi Limaj kishte provuar, por pa rezultat të godiste portën e Dinamos në minutën e 28-të, Tirana që e gjen golin 7 minuta më pas, kur vjen një harkim nga e majta i Seferit dhe topi shkon te Gjumsi në shtyllën e dytë,  dhe ai e kontrollon bukur atë e lëshon një gjuajtje të pakapshme për Bakajn. Goli u ka dhënë zemër bardhebluve, që 10 minutat e fundit të pjesës së parë i kalojnë duke vazhduar ta synojnë portën mike, por pa e gjetur dot golin e dytë. Për rrjedhojë, 45-minutëshi i parë mbyllet me epërsinë minimale të bardhebluve.

Ato të dytat do të vijojnë të shohin Tiranën më këmbëngulëse, përballë Dinamos që mundohet të ulë ritmin e lojës së kundërshtarëve, duke u përpjekur të ruajë epërsinë minimale që i jepte fitorja 2-0 në ndeshjen e parë. Por kjo epërsi është davaritur 13 minuta para fundit, kur Hoti në zonë pengohet nga portieri Bakaj dhe gjyqtari Hamitaj nuk heziton, duke bërë shenjë nga pika e bardhë. Limaj ruan gjakftohtësinë dhe shënon dhe gjithçka në këtë duel rikthehet në barazpeshë.

Çerekora e fundit do të shohë bardheblutë të këmbëngulin për një gol të 3-të, por Xhixha ndalet vetëm nga shtylla dhe koha e rregullt mbyllet me shifrat 2-0 në favor të Tiranës, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Ato nuk kanë sjellë gola të tjerë, përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, dhe gjithçka do të vendoset nga lotaria e goditjeve të 11-metërshve, që shkon gjithashtu në goditjet shtesë, pasi si Tirana, ashtu edhe Dinamo gabojnë nga dy herë secila.

Dhe pas 20 goditjesh nga pika e bardhë, është Tirana që gabon në fund dhe është Dinamo që vijon më tej në Kupën e Shqipërisë, aty ku në çerekfinale, do të ndeshet në derbi me rivalen kryeqytetase, Partizanin, ndërsa Teuta do të përballet me Skënderbeun. Kurse në Grupin B, shorti ka rezervuar një përballje interesante, si ajo midis Flamurtarit dhe Vllaznisë. Çifti tjetër, do të jetë ai mes Egnatias dhe Laçit, në një sfidë që pritet gjithashtu me mjaft interes.

Kupa e Shqipërisë

Turi i 16-shes:

Ndeshjet e kthimit

Grupi A

TEUTA - KORABI                     2-0              (1-0)

PARTIZANI - BESËLIDHJA       2-0              (1-0)

SKËNDERBEU - BYLIS              2-2              (1-1)

TIRANA - DINAMO                 2-0             (0-2) 

Grupi B

VLLAZNIA - POGRADECI        6-1              (2-0)

LAÇI - TOMORI                       1-1              (1-0)

KUKËSI - EGNATIA                  1-0              (1-3)

KASTRIOTI - FLAMURTARI      2-4              (0-0)

Shorti i çerekfinaleve

Grupi A

Partizani - Dinamo

Teuta - Skëndërbeu

 

GRUPI B

Flamurtari - Vllaznia

Egnatia - Laçi