Tirana ka realizuar një fitore me përmbysje në këtë javë të 26-të të Kategorisë Superiore, duke mundur Apoloninë me rezultatin 5-2. Kapiteni i bardhebluve, Idi Batha, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ka komentuar momentin bardheblu:
“Lojën e kishim nën kntroll, por futbolli i tillë është, e pëson atëherë kur nuk e mendon, pësuam dy golat të shpejtë. Në pushim pamë njëri tjetrin në sy dhe e kuptuam që kishim besim për ta kthyer ndeshjen dhe e arritëm”.
“Të gjithë kishim besim se do e përmbysnim ndeshjen. Edhe në pjesën e parë e kishim topin në zotërim dhe e kuptuam se ku i kishte pikat e dobta kundërshtari. Apolonia u ka hapur punë edhe skuadrave të tjera. Është një skuadër shumë e fortë, por dhe kampionati këtë vit është shumë i çuditshëm, çdo skuadër mund të të marrë pikë dhe të prishë punë”.
“E thashë edhe më parë, ky është një kampionat i çuditshëm, kryeson një skuadër që ka 13 barazime, kryeson me meritë sigurisht. Në këtë periudhë edhe një pikë ëshë shumë e rëndësishme. Kështu u afruam edhe ne, kështu që përse të mos besojmë tek mrekullitë, mundësitë i kemi”.
“Por është shumë e vështirë, sepse ashtu siç mendojmë ne mendojnë edhe pesë ekipet e tjera, do të jetë një garë shumë e fortë. Sigurisht, nuk jemi ne pretendentët kryesorë, sepse jemi në vendin e pestë. Nuk jemi ne rivalët kryesorë të Teutës apo ndojë skuadre tjetër”.
“Rikuperimi i pikëve? Kemi menduar vetëm për ndeshjen e radhës, sado që brenda zemrës së çdo lojtari të Tiranës të gjithë e dinë se nuk kanë asgjë më pak se ekipet e tjera. Madje, të gjithë i kanë mundësitë për të besuar të jenë superior ndaj çdo ekipi. Kemi një skuadër me kualitet shumë të lartë dhe kjo nuk duhej të diskutohej nga ana jonë, por ky është futbolli. Ka pjesën e fatit brenda, pjesën e përqëndrimit, çdo gjë. Neve na ka rrëshkitur këmba në disa ndeshje, sigurisht për fajon tonë. Por tani jemi pesë pikë larg vendit të parë, le të ëndërrojmë”.
“Lejojmë hapësira? Kur një skuadër e kërkon fitoren me të gjitha forcat, sigurisht që do të krijojë dhe hapësira mbrapa, kjo është mëse normale. Ndeshja e radhës, me Skënderbeun? Në letër mund të jetë e lehtë, por po të pyesësh lojtarët se si ishin pas ndeshjes me Apoloninë… Të gjithë ishin të rraskapitur. Ndeshje të tilla janë më të vështirat, duhet të keshë moralin, përqëndrimin, vlerësimin shumë të lartë. Me Skënderbeun pa diskutim është e vështirë”.