Java e 15-të e Kategorisë Superiore sjell ditën e enjte derbin e kryeqytetit atë mes Partizanit dhe Tiranës, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në orën 18:00. Trajneri I bardhebluve, Nevil Dede ka analizuar sfidën e së enjtes në një konferencë për shtyp. Ai ka theksuar se atmosfera në kampin bardheblu duket positive dhe se çdo gjë është gati.
“Gjithmonë kur fiton klima është pozitive, plus që kjo ndeshje, që e pretë gjithë komuniteti i futbollit në Shqipëri dhe media, ka interes të veçantë. Është reklama e futbollit shqiptar. Gjendjen e skuadrës e patë edhe me Kastriotin. Kemi disa lojtarë që besoj t’i rikuperojmë shumë shpejt dhe grupi të jetë i plotë. Me prurjet e reja kjo skuadër besojmë do të marri formën e duhur, jo se nuk e ka pasur, por do bëhemi më solidë dhe t’iu imponohemi kundërshtarëve në çdo sektor të fushës”.
Trajneri i bardhebluve nuk bën llogari për asnjë rezultat, e vetmja gjë që kërkon edhe nga lojtarët e tij është që ta shijojnë këtë derbi.
“Ndjesia ime është që unë dua ta shijoj këtë ndeshje. Vetë jeta është e tillë, si në futboll edhe në jetë, duhet të jesh gjithmonë fitues. Nëse je fitues dhe i arrirë, do të thotë që e ke shijuar jetën tënde. Edhe unë kështu shkoj te ky derbi bashkë me gjithë çunat dhe klubin që na mbështet. Nuk ia vlen që unë të komentoj rezultatin. Ne duam ta shijojmë derbin dhe ta fitojmë atë. Se çfarë bëjnë ekipet e tjera… ky është kampionat, ka antagonizëm brenda dhe çdo gjë mund të ndodhë”.
Sipas trajnerit Dede, për nga ana e përgatitjes, një derbi është pjesa më e thjeshtë e çdo trajneri.
“Besoj se një derbi është pjesa më e thjeshtë e çdo trajneri. Sidomos derbi Partizani-Tirana, sepse motivimi është ekstra dhe çdo gjë përjetohet dhe ndihet. Unë e shikoj në stërvitje, lojtarët mezi presin të fillojnë seancën. Mezi presin të vijë dita dhe ora, kur arbitri të japë komandën për ta filluar ndeshjen”, ka deklaruar Dede.