120 minuta sfilitëse me një fitore si të Pirros për Dinamon dhe Tiranën tashmë zyrtarisht jashtë garës së parë që humbet gjithashtu mundësinë e përsëritjes së një prballjeje tjetër derbi që me siguri do të mbushte edhe arkën e klubit bardheblu. Në fund të një gare sfilitëse, porthuajse të gjithë kanë humbur diçka dhe askush nuk fitoi gjithçka. Nëndetësja me vështirësi doli në sipërfaqe duke minimizuar dëmet pas dy silurëve të Tiranës që dhuroi një tjetër provë bindëse duke u treguar sërish muskujt në distancë të gjithë rivalëve në garën e titullit.
Përballja e kthimit në derbin e tretë sezonal mes dy skuadrave foli pjesërisht për bardheblutë që dominuan në lojë e rezultat por në fund, lotaria shkoi për ata, Dinamon që iu fal një ishi si Bakaj për të shkëputur me shpirt në dhëmbë një kualifikim shumë të vuajtur dhe biletën e ndeshjes derbi me Partizanin në dy sfida që do të luhen në muajin Janar.
Rastet e pashfrytëzuara të skuadrës së Shehit janë tregues i mungesës së qetësisë që një grupi që deri në orën 22:30 ishte në garë në të dyja frontet por tashmë të gjitha fuqitë do të përqndrohen te kampionati ku trajneri durrsak do të ketë luksin të punojë i qetë dhe pa angaritë e dhimbjet e kokës që të jep Kupa e Shqipërisë, shpesh herë e përdorur si bakshish për shërbimet e kampionatit.
Në krahun tjetër, Dinamo fitoi biletën e fazës tjetër por tregoi limite të theksuara. Trajneri Bledi Shkëmbi shtrëngon fort këtë kualifikim, madje mund ta përdorë si dozë shtesë për të injektuar moral në grupin e tij që gjatë javëve të fundit ka reflektuar luhatje të mëdha në lojë dhe rezultate. Tashmë, prozhektorët janë drejtuar te derbi tjetër i kryeqytetit, ai mes Dinamos e Partizanit, Tirana hedh pas krahëve një ndeshje sfilitëse dhe plagët e saj mund t’i shërojë menjëherë me sfidën e radhës në kampionat.