RTSH Sport Live

Tirana dominon futbollin e sallës

  • 16/05/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Tirana dominon futbollin e sallës
Bardheblutë fitues për herë të dhjetë të titullit kampion, mbeten skuadra absolute

Tirana është kampione për herë të dhjetë në futbollin e sallës, teksa të dielën në mbrëmje, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, në atë transmetim të drejtpërdrejtë nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar,  ka marrë trofeun për sezonin 2021-2022. Në finale bardheblutë e Artur Angonit kanë mundur Diamant Futsal, 7-2.

Kaca brenda 12 minutash e vë Tiranën në udhëheqjen e rezultatit 2-0. Por ngushton Danushi në një goditje dënimi ekzekutuar në mënyrë perfekte nga skuadra durrsake. Sërisht Muça për Tiranën dhe në fundin e pjesës së parë, në një tjetër goditje dënimi, Guido Tepshi ngushton në 3-2. Mirëpo pjesa e dytë është prishur në momentin që është ndëshkuar me karton të kuq Bllaca dhe me të verdhë portieri Pegu dhe Diamant Futsal e ka humbur ritmin e lojës.

Kaca, Muça, Ferraj e Skanja dhe 7-2 për Tiranën, kurse fundi i lojës ishte i nxehtë për shkak të sulmit që portieri Pegu ka bërë ndaj gjyqtarit Arlind Subashi, teksa ka kërcyer barriera rrethuese të fushës për të tentuar ta godasë në dhomat e zhveshjes.

Ndërhyrja e lojtarëve të të dy skuadrave dhe forcave të rendit kanë bërë qetësimin e situatës e më pas janë shpërndarë medaljet dhe kupa për Tiranën, e cila do të përfaqësojë futbollin e sallës shqiptare në sezonin 2022-2023 në UEFA CHAMPIONS LEAGUE