RTSH Sport Live

Tirana e Besëlidhja, titulli kampion në mes

  • 02/05/2023
  • |
  • Basketboll
Tirana e Besëlidhja, titulli kampion në mes
Duhet finalja e pestë për të shpallur fituesen e sezonit 2022-2023 për djem

Tirana dhe Besëlidhja, kjo në basketboll për meshkuj, tanimë do të shkojnë në finalen e pestë për titull kampion. 82-66 ndeshja e katërt për bardheblutë, të cilët janë dalluar në saktësinë e tyre në gjuajtje për tre pikë. Këtë evidenton jo vetëm trajneri i lezhjanëve, Afrim Bilali, por dhe ai i Tiranës, Erkand Karaj.

"Finalet kanë presion. Ata e shfrytëzojnë këtë presion për mirë. Kanë shumë lojtarë, të cilët kanë luajtur në finale shpesh. E kuptojnë presionin e finales. Tek ne çaloi loja nga jashtë. Arma jonë më e fortë loja nga jashtë duke qenë se edhe një pesë të mirëfilltë nuk e kemi nuk erdhi si duhet", thotë Bilali

"Nga një mbrojtje e mirë vjen dhe një sulm i mirë. Po themi se shkon me besim. Kështu që, duke shtuar dhe faktin se vinim nga një ndeshje të fituar në fushën e tyre, besimi jonë ishte shumë lart. Kjo ka qenë çelësi i suksesit për gjuajtjet për tre pikë", nënvizoi Karaj.

Besëlidhja arriti që të përmbyste në periodën e tretë. Madje doli në avantazh, por më pas dorëzoi lojën. A ishte vetëkënaqësi kjo gjë?

"Nuk është çështje vetëkënaqësie dhe nuk besoj se në këto momente kalon njeri në eufori. Por siç është basketbolli, i cili ka dinamikën e vet. Tirana padyshim që i bëri presing shumë mirë lojtarëve tanë nga jashtë. Kështu që u dorëzuam", pohon i pari i pankinës së Besëlidhjes.

Tirana duket sikur luajti me armën e Besëlidhjes, ndërsa përdori dhe mbrojtjen zonale. Por Karaj mendon ndryshe

"Ne nuk mbrojmë vetëm zonë. Mbrojmë dhe secili të vetin një pjesë të mirë të kohës. Mbrojtëm edhe në zonë ndryshe. Provuam disa mbrojtje që të funksiononin dhe ta çonim sulmin e tyre pak në kaos, sikurse dhe ato bën me ne, sepse edhe sulmi jonë nuk ishte gjithnjë i saktë", pohon Karaj.

E një mbështetje maksimale ka ardhur nga tifozët. Ndaj Klein Strazimiri dhe Redi Vogli kanë bërë thirrje që të jenë më të shumtë në ndeshjen e pestë, sepse vetëm kështu Tirana del kampione.

"Objektivi, ashtu sikurse e kam thënë edhe për RTSH Sport, është titulli kampion. Mendoj që në finalen e pestë Tirana do të japi maksimumin në fushë", deklaron Strazimiri.

"I falënderoj të gjithë tifozët e Tiranës që na kanë mbështetur në këto dy ndeshjet e fundit të Play-off. Pa ato nuk do t'ia kishim dalur. Është qind për qind e sigurtë kjo që them sepse ato na japin një fuqi të jashtëzakonshme një moral që në dy ndeshjet e para nuk e kishim.  Shpresoj që në finalen e pestë të jenë akoma dhe më të shumtë tifozët e Tiranës", shpjegon Redi Vogli.   

Në fund, Bilali jep dhe një parashikim për finalen e pestë, që nuk do të jetë e lehtë për të dy skuadrat.

"Ndeshja e pestë nuk do të jetë kaq e thjeshtë as për ne e as për Tiranën, por mendoj se do të jetë e vështirë për të dy ekipet”, përfundon Afrim Bilali.

Finalja e pestë për titull kampion Besëlidhja – Tirana luhet të enjten, ndërsa do të përfundojë dhe sezoni i rregullt i basketbollit të meshkujve.