Tirana e sezonit të ri do të jetë ndryshe dhe sigurisht pa dyshen që e ndihmoi të rikthehej te titulli, Totre dhe Seferi. Nëse sulmuesi i Kombëtares Shqiptare është ende në pritje të një oferte bindëse, mesfushori nga Maqedonia e Veriut është larguar përfundimisht dhe lamtumira e tij krijon një boshllëk të madh në mesfushën bardheblu. Dhimbjet e kokës për trajnerin Orges Shehi kanë nisur menjëherë pas eleminimit të skuadrës nga kupat e Europës, sepse koha nuk premton dhe me kampionatin pas derës, Tirana duhet të gjejë një emër me peshë për ta rreshtuar në 4-3-3-shin e trajnerit durrsak.
Avantazhi i vetëm për 26-herë kampionët e vendit është politika e klubit për të mos ndryshuar shumë në merkaton e verës ku gjithsesi duhet të bëjë shumë për të kënaqur edhe Seferin, në fund të aventurës me bardheblutë. Pas katër ndeshjeve me 0 gola në llogarinë europiane, ish-bomberi i Young Boys kërkon një skuadër dhe stimuj të rinj që Tirana nuk mund t’ia japë.
Klubi është në pitje të ofertave joshëse pasi 250 mijë eurot e arkëtuara nga shitja e Totre te Vorskla nuk mjaftojnë për arkën e kampionëve të Shqipërisë. Për t’u bindur, presidenti Refik Halili nuk kërkon të dëgjojë oferta poshte 500 apo 600 mijë eurove ndërsa deri në fund të muajit gusht, e ardhmja e sulmuesit mund të vazhdojë të jetë në udhëkryq.
Në çdo skenar të mundshëm, Shehi duhet të punojë pa Seferin dhe të përshtasë sa më shumë zgjedhjet që ka në dispozicion ku Devid dhe Hasani do të fitonin më shumë minuta dhe besim nga ana e teknikut kampion.