Marsel Ismajlgeci është në fokus të skuadrës së njohur holandeze, Fejënordit. Një gjë të tillë e kanë pohuar posaçërisht për RTSH Sport burime zyrtare pranë klubit bardheblu të kryeqytet. Ato kanë pohuar se 21-vjeçari është ndjekur nga afër nga zbuluesit e talenteve të klubit në ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës të Shqipërisë, në ndeshjet e Kombëtares kuqezi të Nën-21-vjeçarëve dhe në sfidat me Kukësin e Skënderbeun, ata kanë parë nga afër mbrojtësin e majtë së Shpresave.
“Ka një interesim nga klubi holandez për futbollistin tonë dhe po e vëzhgojnë në vazhdimësi”, - kanë pohuar burimet në fjalë për RTSH Sport, duke mos pranuar të japin shifra konkrete sa u përket ofertave. Në fakt, futbollisti i ri është përmendur në verë edhe në lidhje me një interesim të Ferencvaroshit, madje hungarezët kanë kohë që ushtrojnë presion për lojtarin e krahut të majtë, që pëlqehet shumë nga skuadra ku luan edhe futbollisti tjetër kuqezi, Myrto Uzuni.
Ndonëse fillimisht u raportua për një shifër prej gjysmë milionë Euro për të nisur bisedimet midis Tiranës dhe Ferencvaroshit, futja në lojë e një emri me peshë si gjigandja holandeze pritet ta rrisë edhe më tepër çmimin e futbollistit bardheblu. Futbollisti, që është prej 5 sezonesh pjesë e ekipit të të rriturve të Tiranës, ka spikatur sezonin e shkuar, duke luajtur 33 ndeshje në kampionat, nga të cilat 31 si titullar dhe duke shënuar 4 gola.
Ndërkaq, këtë sezon ai ka luajtur si titullar në 9 prej 10 ndeshjeve të bardhebluve në kampionat, si dhe në 3 ndeshje të Kupës së Shqipërisë. Ismajlgeci ka qenë padyshim një nga titullarët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Orges Shehi drejt rrëmbimit të kreut të renditjes, të cilin e mban ende, në kuotën e 21 pikëve, një më pak sesa ndjekësja më e afërt, Kukësi.