RTSH Sport Live

Tirana-Erzeni, finalja e Kupës së Pavarësisë

  • 27/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Tirana-Erzeni, finalja e Kupës së Pavarësisë
Bardheblutë mundin Dritën e Gjilanit, 3-0, kurse shijakasit triumfojnë 3-1 me Ferizajn

Tirana – Erzeni do të jetë finalja e Kupës së Pavarësisë në volejboll për meshkuj. Ky ishte verdikti i gjysmëfinaleve, që janë luajtur në Prishtinë në Palestrën Sportive Lagja “Marigona Rezidencë”. Për Tiranën e Arben Sakos ka qenë një fitore shumë e lehtë përballë Dritës së Gjilanit në një hark kohor prej gati 1 orë e 10 minuta. Dy setet e para bardheblutë i kanë fituar 25-18. Më pas në të tretin janë lëshuar si “pa frena”, sepse kanë fituar 25-11 dhe krejt ndeshjen 3-0.

Në këtë nivel e ka nisur dhe Erzeni i Parid Uruçit ndaj Ferizajt, ndonëse kundërshtari i shijakasve ka bërë më shumë rezistencë. 25-23 seti i parë për Erzenin. 25-22 i dyti po për shijakasit. Dhe atëherë kur pritej të kishte një fitore 3-0 për Erzenin, Ferizaj ka marrë setin e tretë 25-21. Por në të katërtin nuk ka më histori, sepse Erzeni ka fituar 25-19 dhe krejt ndeshjen 3-1.

Tirana – Erzeni që do të luhet të dielën në ora 13:00 dhe M.Teknolozhie – Drita e Gjilanit, kjo për femra, e cila do të zhvillohet në ora 15:30 do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar dhe Radio Televizionin e Kosovës, ndërsa Kupa e Pavarësisë në volejboll pritet të njohë fituesit për vitin 2021 për t’i hapur më pas rrugën një Lige të Përbashkët, ashtu sikurse po bën basketbolli.