Tirana ka arritur të sigurojë një fitore me përmbysje, 5-2 përballë Apolonisë në “Air Albania”, takim i vlefshëm për javën e 26-të të kategorisë Superiore. Pas një pjese të parë që foli për fierakët në rezultat, të cilët e mbyllën në avantazh 2-1, bardheblutë kanë arritur të reagojnë në pjesën e dytë, duke shënuar katër gola, që sollën dhe fitoren me përmbysje.
Fillimi i sfidës ka folur për Tiranën, e cila u shfaq më kërkuese dhe menjëherë arriti të marrë frenat e lojës në dorë. Pas disa mundësishë të humbura, në minutën e 19-të Batha ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, ndihmuar dhe nga një devijim i kundërshtarit, 1-0.
Gjithsesi, fierakët arrijnë të rikthehen në lojë dhe të përmbysin rezultatin, duke embyllur pjesën e parë në avantazh 2-1. Është Levendi që arrin të shënojë dy herë në portën e bardhebluve, në minutën e 26-të dhe 45-të, duke befasuar formacionin e drejtuar nga Orges Shehi.
Pjesa e dytë, e njëjtë si e para, me Tiranën në kërkim të golit. Në minutën e 51-të vendoset barazpesha. Një gabim i fierakëve i ka dhënë mundësinë Torasës, që me portën e boshatisur të siglojë 2-2. Dominimi bardheblu shpërblehet me golin e avantazhit në minutën e 65-të, me Bathën që tregohet i saktë nga pika e bardhë, 3-2.
Për të mbyllur të gjitha llogaritë në këtë sfidë janë Ismailgeci 77 dhe Kale 90’ që vendosin emrat në listën e golashënuesve në këtë sfidë, ndërsa tabela elektronike shënon 5-2 për Tiranën, rezultati përfundimtarë i kësaj sfide.
KATEGORIA SUPERIORE/JAVA 26
E SHTUNË
VLLAZNIA-PARTIZANI 0-0
TEUTA-LAÇI 1-0
Golat: Bregu 76’
E DIEL
BYLIS-KASTRIOTI 1-1
Golat: Ntephe 20’/Prodani 2’
TIRANA-APOLONIA 5-2
Golat: Batha 19’, 65’(pen.), Torasa 51’, Ismailgeci 77′, Kale 90′/Levendi 26’, 45’
KUKËSI-SKËNDERBEU 0-1
Golat: Mensah 78’