RTSH Sport Live

Tirana humbet qendërmbrojtësin

  • 25/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana humbet qendërmbrojtësin
Dy mungesa të sigurta për Shehin në transfertën e Korçës

Javë delikate për Tiranën që humbet një tjetër lojtar në prag të nisjes së xhiros së dytë të Superiores. Pas disfatës në ndeshjen e kreut me Kukësin, Orges Shehi ka humbur edhe një tjetër lojtar shumë të rëndësishëm të formacionit të tij. Bëhet fjalë për mbrojtësin Zhoselin Behiratçe ndërsa tekniku durrsak nuk ka ende një përgjigje përfundimtare nëse Enur Totre do të jetë i gatshëm.

Shtatlarti afrikan i dëmtuar në duelin e Shkodrës ku Tirana regjistroi humbjen e parë sezonale, do të qëndrojë edhe disa ditë në bokse, ndërsa mjekët e ekipit po punojnë që ai të jetë gati për transfertën e Rrogozhinës në datën 4 dhjetor. Përsa i përket mesfushorit nga Maqedonia e Veriut, sinjalet janë optimiste por një vendim Shehi do ta marë vetëm pak orë përpara sfidës së të shtunës në Korcë.

Përveç dy emrave të sipërpërmendur, mungesë e madhe për bardheblutë është Redon Xhixha, i cili do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën edhe 10 ditë çka do të thotë se perveç ndeshjes me Kukësin ai humbet edhe Skënderbeun dhe Egnatian ndërsa po punon që të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjet e fundit të vitit 2021.

Përveç dy sfidave të sipërpërmendura, Tirana do të sfidojë në muajin dhjetor edhe Kastriotin, Laçin, Teutën dhe Partizanin në datën 22 dhjetor. Ndeshja ndaj skuadrës së Mmemellit starton të shtunën në orën 16:45 ndërsa momentalisht bardheblutë renditen në vendin e parë me 20 pikë, 3 më shumë se Kukësi ndjekës.