Dyer të mbyllura për mediat në stërvitje, po i njëjti pasion për të mvbyllur sa më shpejt edhe akreditimet për gazetarët në sfidën që Konsiderohet derbi i Shqipërisë por për mënyrën se si po e organizon klubi kryeqytetas në aspektin mediatik, merr trajtat dhe rëndësinë e një sfide rutinë të Superiores.
Përballja Tirana-Vllaznia, shumë e rëndësishme edhe për fatet e këtij sezoni, sfida që meriton pjesëmarrje masive në të gjitha tribunat, duke nisur që nga tifozët e deri në të ashtuquajturën tribunë VIP ku mësyjnë politikanë, gazetarë dhe njerëz të afërt të drejtuesve të klubeve e kthen në një bunker stadiumin me të madh në vend, Arenën Kombëtare që dyert i ka mbajtur gjysmë të hapura për mediat dhe përfaqësuesit e tyre edhe në sfida më të rëndësishme për fatet e futbollit shqiptar, sa për të marrë një shembull, Shqipëri-Poloni.
Biletat e sfidës së javës së 16-të kanë dalë në treg që prej ditës së mërkurë por në pikën e shitjes, përveç letrës që njofton çmimet, interesimi duket i vakët ndërsa duket se nga këto anë, ndryshe nga drejtuesit në klub, nuk nguten për të mbyllur sportelin. Gazetarët e interesuar për të qenë të pranishëm nuk patën në dispozicion as 24 orë për të bërë kërkesën e tyre për të qenë të pranishëm në një stadium të ndërtuar për të kënaqur dëshirat e të gjithëve, madje i ndërtuar për të pritur edhe sfida kontinentale. Ndoshta derbi i dytë sezonal i Shqipërisë do të vendosë një rekord të ri për numër mediash të pranishme duke eklipsuar ndoshta edhe nëntorin e 2019-ës ku kampionët e botës, Franca përuroi veprën më të madhe sportive në vendin tonë.