Rikthimi në Korçë nuk ka qenë me fat për Orges Shehin, i ndalur në një barazim 0-0, që nuk i bën punë askujt, duke parë si janë gjërat, por të paktën ruan status quo-të. Tirana ndal hapin në vrapimin spektakolar drejt kreut, në ndeshjen që nuk duhej, ndërsa Memelli merr një pikë që nuk mund të jetë mjaftueshëm në tentativën për ti shpëtuar rënies.
Pa Kale, në pankinë, për shkak të gjendjes jo optimale fizike, Tirana nuk e kishte humbur dëshirën për tu imponuar ndaj kundërshtarit, që edhe pse vinte nga fitorja me Kukësin, nuk iu fut aventurave, duke tentuar të bëjë keq me korsimet nga krahët, ku Zguro rezultonte gjithnjë i rrezikshëm.
Mbi traversë edhe tentativa e Vitijas në të 36, që në fakt rrezikoi më shumë në përmbysjen e fronteve, kur ndërhyri ndaj Torassës në një moment Brenda zonës. Alla vazhdoi lojën mes pakënaqësisë bardheblu, që humbën përqendrimin pikërisht në ato momente duke pësuar inisiativën e Skënderbeut që mund ti ndëshkonte me Meksin e Berishën.
Madje ky i fundit në të 40’ e dërgoi topin në rrjetë, por festa iu mbyt nga sinjalizimi i asistentit për pozicion jashtë loje. Protesat e korçarëve në fushë e pankinë, nuk mund të ndryshonin vendimin e Allës dhe asistentit të tij, por shkundën Tiranën që e kuptoi se për të marrë pikët në Korçë duhej bërë më shumë.
Imapkt krejt tjetër me ndeshjen për bardheblutë në pjesën e dytë, të instaluar në gjysëmfushën kundërshtare, por Seferi nuk humbej kurrë nga vëmendja e prapavijës bardhekuqe. Atëherë kryeqytetasit provuan me të gjitha format, edhe nga distanca e me lojtarët e mbrojtjes, ai në të 61 me Hoxhallarin, por pa frikësuar Dajsinanin. Një ndeshje e luftuar, madje në kufijtë e fair play, me Zguron që rrezikoi shumë të dytën e verdhë në minutën e 65’, në kontrastin me Torasën.
Argjentinasi pati ndër këmbë mundësinë më të mirë të ndeshjes në të 72′ por veprimi brilant i tij la të shtangur portierin, por nuk përfundoi në rrjetë. Tirana inistoi për një fitore që dukej e mundur, por humbi edhe Seferin, të dëmtuar në një përplasje kokë më kokë me Vitijan dhe ndoshta ky lajm shqetëson Shehin më shumë se dy pikët e lëna në Korçë.
Në fund një tjetër pretendim për penallti, me Torasën të penguar nga Bajrami, por edhe këtë herë Alla la lojën të vazhdonte, duke çuar në një 0-0 që nuk la asnjë të kënaqur e do të krijojë shumë polemika.