RTSH Sport Live

Tirana në Korçë, sfidë e veçantë për Shehin

  • 09/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana në Korçë, sfidë e veçantë për Shehin
Trajneri bardheblu ka analizuar sfidën  me Skënderbeun, e vlefshme për javën e 27-të

Tirana do të udhëtojë drejt Korçës në këtë javë të 27-të të Kategorisë Superiore, ku e pret përballja me Skënderbeun. Një ndeshje e veçantë për trajnerin bardheblu, Orges Shehi, i cili ka luajtur me skuadrën korçare për disa sezone, ku më pas nisi dhe profesionin e trajnerit. Në konferencën për shtyp, trajneri i kryeqytetasve u shpreh: “Skënderbeu është një kundërshtar që në këto javët e fundit është paraqitur shumë mirë. Kanë marrë pikë dhe kanë krijuar besim, që është shumë e rëndësishme në futboll. Mendoj se do të jetë një transfertë e vështirë”.

Një problem në kampin bardheblu është gjendja e brazilianit Kale, e cila nuk është më e mira. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar trajnerin bardheblu ta përfshijë në planet e tij për këtë sfidë. “Kale është një lojtar inteligjent, që na ndryshon shumë. Nuk është në gjendjen e tij më të mirë, prandaj e ka nisr edhe nga stoli. Por ai do të jetë i pranishëm me grupin për sfidën e nesërme, është në listë. Pjesa tjetër është e gatshme, nuk kemi probleme”.

Bardheblutë do të luajnë në tri transferta radhazi, pas Skënderbeut janë Kukësi dhe Teuta. Gjithsesi, për trajnerin Shehi e gjithë vëmendja është tek ndeshja e radhës, pa menduar për sfida e tjera. Çdo gjë në kohën e duhur. “Nuk duhet të mendojmë për transfertat që kemi më pas, por vetëm për ndeshjen e nesërme. Në situatën ku jemi, çdo ndeshje është e rëndësishme”.

Tirana ndodhet në vendin e pestë në klasifikim, vendi i parë nuk është shumë larg, vetëm pesë pikë.  Por trajneri bardheblu i bën llogaritë sipas mënyrës së tij, pavarësisht dëshirës për titull. “Kemi rikuperuar pikë,jemi në një pozitë ku duhet të luftojmë. Jemi ende në vendin e pestë dhe do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë. Jemi në një fazë të rëndësishme të kampionatit, të gjitha sfidat janë si finale. Në fund do të bëhen llogaritë”.