RTSH Sport Live

Tirana nuk fal as Vllazninë

  • 14/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana nuk fal as Vllazninë
Shkodranët thyhen 3-1 në kryeqytet dhe rrezikojnë vendin e katërt

Nuk ka ulje çmimi për Vllazninë, Tirana bën detyrën në klasiken e Shqipërisë duke arritur një fitore pa peshë në sezonin e bardhebluve tashmë me titullin në xhep, por shumë të rëndë në krahun tjetër për shkodranët që humbasin një mundësi të mirë për të qëndruar në pozita të forta në vendin e katërt të klasifikimit. Kampionët e Shqipërisë fituan 3-1 në “Selman Stermasi” ku trajneri Orges Shehi kishte bërë pak modifikime në formacion, duke propozuar 11-she konkurruese dhe aspak inferiore përballë miqve nga Shkodra dhe rezultatet u dukën në fushë që në shkelmimet e para të topit.

Totre për Seferin, një binom shumë i suksesshëm këtë sezon, finalizuan golin e parë me autor sulmuesin dhe më pas në minutën e 18-të, kryesori Cjapi akordoi 11-metërsh që më pas e anulloi pasi u konsultua me sistemin VAR duke lënë shifrat të pandryshuara në 1-0. Menjëherë më pas Vllaznia përfitoi pasi Zhivanaj shtyu në rrjetën e tij topin e golit të barazimit por Tirana nuk e humbi ritmin dhe pas një tentative të Ismajlgecit, ishte radha e Totre që të bëhej protagonist me golin e tretë të ndeshjes dhe të dytin për bardheblutë sërish në avantazh.

Dyshja Xhixha-Seferi kuptohen që në ajër dhe kjo duket qartë në aksionin që sjell edhe golin e tretë dhe vendimtarin për këtë ndeshje që Vllaznia nuk arriti ta fuste asnjëherë në rrugën që dëshironte edhe pse Zhivanaj e la Tiranën me 10 lojtarë për rreth 20 minuta pas të verdhit të dytë. Disfatë që rëndon shumë në radhët e skuadrës së Plorit, e detyruar tashmë të qëndrojë në vendin e katërt por vetëm me 1 pikë diferencë nga Kukësi.