RTSH Sport Live

Tirana nuk gabon, Vllaznia mund Apoloninë

  • 04/12/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Tirana nuk gabon, Vllaznia mund Apoloninë
Është mbyllur java e 8-të e kampionatit të vajzave

Ndeshjet e javës së 8-të të kampionatit të futbollit të vajzave janë mbyllur me duelin e sotëm mes Lushnjes dhe Laçit, që përfundoi me fitoren e këtyre të fundit, 0-5. Laçjanet e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke gjetur rrjetën dy herë me Ndocin e Cakën, teksa në fraksionin e dytë Ndoci realizoi edhe dy gola të tjerë, si edhe Markaj. Sezoni ka nisur aspak mirë për myzeqaret, të cilat nuk kanë fituar asnjë ndeshje në tetë javë, ndërsa kjo është fitorja e parë për laçjanet në këtë edicion të ri futbollistik.

Ndërkaq, në ndeshjet e së shtunës, Vllaznia mundi në shtëpi Apoloninë me rezultatin 6-0. Për shkodranet realizuan Davidson dhe Shalën në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe Lufo, si edhe Doçi (2).

Asnjë surprizë nga Tirana, që fitoi në transfertë kundër Skënderbeut. Kryeqytetaset triumfuan në Korçë me rezultatin e thellë 10-0, në një takim që foli vetëm për vajzat bardheblu. Vishkulli zhbllokoi rezultatin për Tiranën në minutën e 14-të të takimit, ndërsa realizoi edhe një gol tjetër në pjesën e dytë. Rrjetën e gjetën edhe Metalla (2), Cinaj, Coka (2), Simoni (2) dhe Ago. Me këtë fitore, kryeqytetaset renditen në vendin e dytë, me 24 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të parë.

Nga ana tjetër, edhe Partizani arriti të merrte një rezultat pozitiv në kryeqytet, duke mundur ekipin e Teutës, me rezultatin 5-1. Një ndeshje shumë emocionuese, ku të dyja skuadrat dhuruan spektakël, me raste të shumta. Koka kaloi në epërsi të kuqet në pjesën e parë, teksa me nisjen e fraksionit të dytë, Goro dyfishoi shifrat. Puca ngushtoi rezultatin për Teutën, por Xhebrahimi, Goro e Loci realizuan sërish për Partizanin, duke mbyllur ndeshjen me shifrat 5-1.

Ndeshjet e javës së tetë:

Partizani 5–1 Teuta

Vllaznia 5–0 Apolonia

Kukësi 0–2 Kinostudio

Skëndërbeu 0–10 Tirana

Lushnja 0-5 KF Laçi

 

Renditja:

Vllaznia 24 pikë

Tirana 24 pikë

Apolonia 18 pikë

Kinostudio 15 pikë

Partizani 13 pikë

Kukësi 6 pikë

Teuta 6 pikë

KF Laçi 4 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Lushnja 0 pikë